Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën Shandong të Kinës lindore, ku një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë kimike ka shkaktuar të paktën pesë viktima dhe ka lënë të plagosur 19 persona të tjerë. Sipas autoriteteve kineze, gjashtë punëtorë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Shpërthimi ndodhi në ambientet e Gaomi Youdao Chemical Co., një fabrikë që prodhon pesticide dhe kimikate për përdorim mjekësor. Dëshmitarë raportojnë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa theu xhamat e një depoje që ndodhej mbi tre kilometra larg. Pamjet e publikuara nga banorë lokalë tregojnë përmasat e tragjedisë.
Më shumë se 230 forca zjarrfikëse morën pjesë në operacionin e shpëtimit, duke u përpjekur të lokalizojnë personat e zhdukur dhe të shmangin rrezikun e ndonjë shpërthimi tjetër. Deri më tani, shkaku i shpërthimit nuk është bërë i ditur, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Fabrika punëson mbi 500 punëtorë, sipas të dhënave zyrtare, dhe autoritetet lokale kanë vendosur masa të rrepta sigurie në zonën përreth për të parandaluar rrezikun ndaj banorëve.