Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy janë takuar në margjinat e samitit të posaçëm të NATO-s të mbajtur në Hagë, ku udhëheqësit e aleancës diskutuan për forcimin e mbrojtjes dhe sfidat e sigurisë globale.
Një nga vendimet kryesore të samitit ishte miratimi i një objektivi të ri për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen – 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035 – një kërkesë që kishte ardhur më herët nga vetë Trump.
Takimi mes Trump dhe Zelenskyy u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Ukrainën, e cila vazhdon të përballet me agresionin rus. Zelenskyy dhe ekipi i tij shprehën dëshirën për të diskutuar me Trumpin çështje kyçe si blerja e armëve amerikane, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot, si dhe mundësinë për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë.