Një ngjarje e rëndë dhune tronditi mbrëmjen e së dielës, më 22 qershor, në qytetin e Santeramo in Colle, në zonën e Barit. Gjatë një ndërhyrjeje në qendër të qytetit, dy karabinierë të stacionit lokal u sulmuan brutalisht nga dy burra me origjinë shqiptare, duke krijuar një situatë kaotike dhe shqetësuese për komunitetin lokal.
Ngjarja nisi pas një serie telefonatash në numrin emergjent 112, ku raportohej për një burrë në gjendje të rënduar emocionale, i cili kërcënonte të bllokonte trafikun dhe të dëmtonte një makinë të parkuar. Pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, karabinierët u përballën me një reagim agresiv: i dyshuari filloi të fyente dhe kërcënonte zyrtarët, duke shkuar deri aty sa goditi me grusht një prej tyre në fytyrë.
Situata u agravua edhe më shumë kur një person tjetër, bashkatdhetar i agresorit të parë, ndërhyri në mënyrë të dhunshme, sulmoj me shuplaka dhe grushte karabinierët, duke rritur tensionin dhe rrezikun në vendngjarje. Vetëm ndërhyrja e një patrulle shtesë nga Kompania Altamura arriti të rivendosë kontrollin, duke arrestuar dy sulmuesit dhe duke i akuzuar ata për dëmtim, rezistencë dhe dhunë ndaj zyrtarëve publikë.
Luca Specchia, sekretari rajonal i NSC Puglia, reagoi menjëherë ndaj këtij episodi të dhunshëm, duke theksuar nevojën urgjente për masa më të ashpra kundër atyre që sulmojnë forcat e sigurisë. “Shteti duhet të garantojë dënime më të forta për këdo që sulmon operatorët e sigurisë,” deklaroi ai, duke kritikuar burokracinë dhe mungesën e reformave ligjore që, sipas tij, rrezikojnë jetën e atyre që janë në frontin e zbatimit të ligjit.