Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shprehu shpresën se demonstrata e re e madhe antiqeveritare e planifikuar për 28 qershor në Beograd nga lëvizja e studentëve do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe të rregullt, me autoritetet dhe policinë që do tl ndërhyjnë vetëm nëse është e nevojshme. "Nëse është e nevojshme, ne do të ndërhyjmë, por shpresoj se ata nuk do të na detyrojnë ta bëjmë këtë", tha Vuçiç në margjinat e një Forumi Ndërkombëtar Studentor që po mbahet në Beograd.
Policia në Serbi, para tubimit, arrestoi disa persona të akuzuar për komplot të dyshuar për përmbysjen e qeverisë, ndërsa tensionet u rritën përpara një tubimi të madh antiqeveritar të planifikuar këtë fundjavë në Beograd.
Policia tha se gjashtë persona u arrestuan të mërkurën në mbrëmje, të dyshuar për “përgatitje të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë” dhe “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.
Të paktën një student tjetër universiteti u arrestua këtë javë i akuzuar për përgatitjen e “një akti terrorizmi” bazuar në bisedat e tij private në një telefon celular. Qindra njerëz demonstruan të enjten kundër arrestimit në Beograd.
Studentët universitarë që protestojnë kanë thirrur tubimin e së shtunës për të kërkuar zgjedhje të parakohshme pas gati tetë muajsh demonstratash pothuajse të përditshme kundër korrupsionit që kanë tronditur qeverinë populiste të Presidentit Aleksandar Vuçiç.
Autoritetet kanë dënuar vazhdimisht planet për provokime dhe dhunë për tubimin e së shtunës së ardhshme në Beograd, si dhe bllokime rrugësh në qytete të tjera, me qëllim paralizimin e të gjithë vendit. /Liberale.al/