Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje të martën mbrëma për përforcimin e sektorëve të rëndësishëm të vijës së frontit prej 1000 kilometrash në Ukrainën lindore, ku forcat ruse kanë bërë fitime të qëndrueshme muajt e fundit.
Zelensky e bëri kërkesën ndërsa ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se forcat e saj kishin kapur dy fshatra të rinj në vijën e frontit, një në rajonin e Donetsk, epiqendra e luftës 33-mujore, dhe tjetri më në jug, në rajonin e Zaporizhia.
Presidenti ukrainas e bëri deklaratën gjatë një fjalimi drejtuar popullit ukrainas, pas një takimi që pati me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi.
“Në drejtim të Donetskut kërkohen përforcime të konsiderueshme. Kjo ka të bëjë veçanërisht me sigurimin e armëve nga partnerët tanë”, vuri në dukje Zelensky.
“Ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë: sa më e madhe të jetë fuqia e zjarrit dhe aftësitë teknologjike të ushtrisë sonë, aq më shumë mund të shkatërrojmë potencialin sulmues të Rusisë dhe të mbrojmë jetën e ushtarëve tanë,” shtoi ai.