Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se vetëm presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy mund të negociojë në emër të vendit të tij me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar se një “paqe që është një kapitullim” do të ishte “lajm i keq për të gjithë”, përfshirë SHBA-në.
“Pyetja e vetme në këtë fazë është nëse presidenti Putin është vërtet, në mënyrë të qëndrueshme dhe shumë i gatshëm për të rënë dakord për një armëpushim mbi këtë bazë. Pas kësaj, u takon ukrainasve të negociojnë me Rusinë,” tha Macron në një intervistë për gazetën në Pallatin Elysee.
Presidenti amerikan bisedoi të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin dhe Zelenskiy dhe u tha zyrtarëve amerikanë që të fillonin bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit gati tre-vjeçar.
Thirrjet telefonike erdhën menjëherë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha aleatëve ushtarakë të Ukrainës në Bruksel se një kthim në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 – përpara se Rusia të aneksonte Krimenë – ishte jorealiste dhe se SHBA nuk e sheh anëtarësimin në NATO të Kievit si pjesë e një zgjidhjeje.
Ukrainasit të enjten u shqetësuan se Trump po përgatitej të shiste vendin e tyre pas thirrjes së tij telefonike me Putin.
Macron e përshkroi kthimin e Trump si një “elektroshok” që duhet të detyrojë Evropën të sigurojë të ardhmen e saj si dhe të Ukrainës.
Sipas tij dëbimi i banorëve të Gazës do të ishte “jashtëzakonisht i rrezikshëm”, duke shtuar se planet e Trump për Gazën dhe Grenlandën ishin shembuj të “pasigurisë ekstreme strategjike” në të cilën bota po jetonte tani.
Komenti ka për qëllim paralajmërimin e Trump se SHBA synon të largojë banorët e Gazës dhe të transformojë territorin e shkatërruar nga lufta në atë që presidenti e cilësoi si një “riviera e Lindjes së Mesme”. Ai kishte thënë gjithashtu se dëshiron të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën.
Presidenti francez përsëriti se Evropa duhet të ndërtojë aftësitë e saj mbrojtëse në mënyrë që të mund të veprojë edhe kur SHBA nuk është e përfshirë.
“Ne gjithashtu duhet të zhvillojmë një bazë të integruar plotësisht evropiane të mbrojtjes, industriale dhe teknologjike”, theksoi ai.