Raporti tregon numrin e kandidatëve që kanë probleme me ligjin. Partitë që kanë më shumë kandidatë të tillë janë Lëvizja ‘Vetëvendosje’, ‘Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA’ dhe Lidhje Demokratike të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje renditet e para dhe ndiqet nga koalicioni ‘Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA’ dhe Lidhje Demokratike të Kosovës, për kandidatët në listat e tyre që kanë probleme me ligjin. Kjo u tha gjatë një konference të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres INPO.
“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 14 kandidatë apo 12 për qind e listës së kësaj partie ka probleme me ligjin. Koalicioni AAK-NISMA ka 8 kandidatë pra, 7.27% dhe LDK me një kandidatë. Nga gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin 16 prej tyre janë duke u përball me aktakuza aktive, ndërsa 8 kandidatë janë të dënuar për vepra penale. Në mesin e këtyre 16 kandidatëve tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive kështu numri total i aktakuzave aktive ndaj këtyre kandidatëve shkon në 20. Ndërsa, numri total i veprave penale shkon në 21”, tha Burbuqe Kastrati, lëvizja ‘FOL’.
Ne këtë konference u fol edhe për programet e partive. Nga 28 parti qe garojnë ne zgjedhjet e 9 shkurtit vetëm 13 prej tyre kane programe politike te prezantuara. Aty u tha se ne te gjitha programet ka mangësi, sidomos ne çështjet e drejtësisë.
“Lëvizja Vetëvendosje sundimi i ligjit trajtohet në një faqe të këtij programi dhe që përmban tri çështje. LDK si aspekte pozitive konsiderohet fakti se premtohet zhvillimi i procesit të vettingut në përputhje me Komisionin e Venecias se do t’i kthehet Agjencisë për ndihmë juridike falas pavarësia siç ka qenë se do të ruhet stabiliteti i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të punohet në digjitalizim. As programi i PDK nuk i referohet strategjisë për sundimin e ligjit, mirëpo përmend se do të miratohet strategjia kundër korrupsion e cila ka munguar gjatë gjithë këtij mandati qeverisës”, tha Gëzim Shala, instituti i Kosovës për drejtësi.
Të dielën e 9 shkurtit, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën dhe qeverinë e re që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.