Prokuroria e Posaçme e Kosovës i ka bërë kërkesë një gjykate në Prishtinë që të urdhërojë kryeministrin e vendit Albin Kurti të paraqitet në prokurori për të dëshmuar në një rast që lidhet me ‘rezervat shtetërore’, pas refuzimit të dy thirrjeve nga ana e tij.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe ajo është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Sipas Kodit të procedurës penale të Kosovës, dëshmitari i cili është thirrur me rregull, nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari me kërkesë të prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Sipas këtij Kodi, mosparaqitja e dëshmitarit mund të dënohet me gjobë deri 250 euro.
“Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset dhe burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e procedurës penale.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës për të kuptuar qëndrimin e saj rreth situatës.
Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar në një rast që nuk është bërë publik nga prokuroria ndërsa mbështetësit e kryeministrit e çuajtën si një veprim të motivuar politikisht në kohën kur vendi po përgatitej për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës e thirri kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në një rast që lidhet me vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Qeveria e Kosovës kishte thënë në disa raste se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë.
Njohës të sistemit të drejtësisë i thanë Zërit të Amerikës se duke u bazuar në numrin e lëndës, ajo ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg.
Kryeministri Albin Kurti, mohoi në atë kohë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore ndërsa akuzoi siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e të korruptuar”. /VOA/