Kosova

PROFILI I JAVËS- Nuk është në pikëpyetje vrasja e Albinit, por Kosova si viktimë e politikave të tij

Shkruar nga Reldar Dedaj

PROFILI I JAVËS- Nuk është në pikëpyetje vrasja e

Edhe pse Rusia ishte sponsorizuese e takimit të Albin Kurtit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ajo gjithsesi pati një profil të ulët në publik.

Qëndrimet ekundërta për gjendjen në Kosovë, reflektuar në fjalimet e Kurtit dhe Vuçiq, nuk është se përbëjnë ndonjë lajm të ri për botën, pasi rëndom klasifikohen si propagandë. Një retorikë e tillë agresive mund të mobilizojë me raste masat popullore të të dy vendeve, por jo ndërkombëtarët. Ata janë të vetëdijshëm se Kosova po ndërmerr hapa të pakoordinuar me Perëndimin, ose e thënë më thjesht, Albin Kurti i ka vënë në pozitë të vështirë vendet aleate të Kosovës në Perëndim, të cilat janë të detyruara të ekspozojnë problemet që kanë me qeverinë e Kosovës.
 
Ndoshta për të sfumuar këtë konflikt të Kurtit me ndërkombëtarët, të cilët edhe janë aleatët kryesor të shtetit të Kosovës, Radiotelevizioni i Kosovës të shtunën pasdite, publikoi një lajm, ku thuhej se institucionet e sigurisë kanë marrë të dhëna se Serbia ka planifikuar vrasjen e Albin Kurtit, në kohën që po viziton Shkupin, kryeqytet i Maqëdonisë së Veriut. Dhe ky imazh nuk hiqet me lajme sensacionale se Albin Kurtin duan ta vrasin serbët. Nuk balancohet imazhi i Kosovës me viktimizimin e Albinit, meqë janë viktimizuar në mënyrë të padrejtë dhe serbët. Nuk është në pyetje viktimizimi i Albinit, por Kosova si viktimë e politikave të tij kundër Perëndimit. Dhe kjo nuk zgjidhet duke u ngritur alarmi se po na vrasin Albinin, por duke u ngritur alarmi real, se politikat e tij mund të vrasin Kosovën.

Kosova ka ekzistuar para Albinit. Janë shënuar rekorde. Janë shënuar edhe disa arritje historike. Kosova ka lëvizur nga një provincë serbe në një shtet të njohur ndërkombëtarisht. Në shumicën e ngjarjeve historike, Albini ka qenë në anën e kundërt të tyre. Ai ka qenë gabim. Një “hoxhë” që ka parashikuar se në Kosovë do të ndodhin vetëm gjëra të këqija. Ashtu tha se do të ndodhin pas Rambujesë, pas negociatave të Vjenës edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Pas çdo gjëje në të cilën ai nuk ka qenë i pranishëm.
 
Ibrahim Rugova për të nuk ekziston, nuk ekziston asgjë e realizuar gjatë viteve 1990, përveç protestës së 1 Tetorit të vitit 1997. Nuk ekzistojnë as vitet e pasluftës, as shpallja e pavarësisë, as protagonistët e këtyre ngjarjeve. Është dashur një apel kombëtar për ta bindur atë që të shkojë të përkulet te varri i Ibrahim Rugovës. Edhe kjo për vota. Në luftën me Thaçin, ka përdorur flamurin. Në luftën me inteligjencën ka përdorur fenë.
 
Një pjesë e madhe e qytetarëve të dëshpëruar me më shumë dëshirë do të bashkëjetojnë me gabimet e Albinit, pasi epoka e Albinit fillo me pikën zero. Çdo gjë fillon me mua, thotë Albini. Kur Jezu Krishti i shfaqet Gjon Pagëzorit dhe thotë: Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, që është, që ishte dhe që vjen, i plotfuqishmi (Zbulesa 1:8). Pra, Jezusi është qendra dhe qarku i të gjitha gjërave, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Ashtu është edhe ai. Në mungesë të heroit, kërkon heroizmin personal. Po na vrasin Albanin- tha dikush në Facebook. Në fakt, politikat e Albinit, po dëmtojnë Kosovën.
 
Problemi më i madh i tij, është fati që kanë patur historikisht politikanët radikal. Radikalët futen në një rreth vicioz nga i cili nuk dalin dot. Kur ata janë në opozitë i duhet të jenë të tillë për të fituar konsensus, ndërsa kur janë në qeveri, iu duhet të bëjnë marrëveshje dhe të harrojnë pozicionet e tyre opozitare. Mirëpo nëse e bëjnë këtë humbasin mbështetjen popullore. Prandaj, ata kanë nevojë gjithmonë të vriten. Se duke u vrarë, ata kthehen në heronj. Dhe heronjve siç dihet nuk u kërkon askush asgjë, sepse ata janë heronj./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH