
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë reagoi lidhur me refuzimin e përsëritur të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale dhe siç tha, mosrespektimin ndaj Gjykatës. Në një deklaratë, ambasada thekson se respektimi i sundimit të ligjit është karakteristikë kryesore e demokracisë së Kosovës.
Ambasada Britanike ka kërkuar nga të gjithë të përfshirët në këtë rast që të respektojnë Kushtetutën dhe procedurat ligjore dhe të punojnë për atë që është në interesin më të mirë të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti prej disa muajsh refuzon ftesën e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në rastin e rezervave të shtetit.
Kurti shpërfilli edhe urdhrin e gjykatës së Prishtinës për t’u paraqitur në prokurori të martën në orën 10:00, duke këmbëngulur që prokurorët të shkojnë për ta intervistuar në zyrën e tij.