Sipas mediave ndërkombëtare, Hamasi dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim 60-ditor në Gaza. Ky është një zhvillim i rëndësishëm pas muajsh të tërë lufte dhe vuajtjesh për popullin palestinez. Marrëveshja është diskutuar me i dërguarin amerikan, Steve Witkoff, dhe thuhet se është mbështetur nga Izraeli.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Izraeli e kishte pranuar planin përpara se ai t’i dërgohej Hamasit. Ajo shtoi se bisedimet po vazhdojnë dhe shpresohet që armëpushimi të hyjë në fuqi së shpejti, në mënyrë që të lirohen edhe pengjet që ndodhen në Gaza.
Ndërkohë, ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, shpërtheu në lot gjatë një fjalimi prekës në Këshillin e Sigurimit. Ai foli për vuajtjet e fëmijëve palestinezë në Gaza, duke përmendur se shumë prej tyre po vdesin nga uria dhe bombardimet.
“Kam nipër e mbesa… E di çfarë po kalojnë këto familje,” – tha ai me lot në sy, duke kujtuar një sulm në Khan Yunis ku nëntë nga dhjetë fëmijët e një mjeku humbën jetën.
Megjithatë, dhuna nuk është ndalur ende plotësisht. Ushtria izraelite ka vendosur flamurin e saj mbi një xhami në Tulkarem, në Bregun Perëndimor. Po ashtu, në një sulm të fundit në kampin e refugjatëve Bureij në Gaza, janë vrarë 19 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.