
Kryeministri i Grenlandës, Múte Bourup Egede, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra nga Presidenti amerikan Donald Trump në Kongres, ku ai theksoi se ishulli do të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, “në një mënyrë apo një tjetër.”
Egede u shpreh përmes një postimi në Facebook, në gjuhën groenlandeze dhe daneze, se “Grenlanda nuk mund të merret apo blihet,” dhe se qytetarët e Grenlandës janë ata që duhet të vendosin për të ardhmen e ishullit. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë këtë fakt.
Teksa iu drejtua banorëve të Grenlandës, Trump tha se nëse ata zgjedhin të bëhen pjesë e SHBA-ve, do të jenë më të pasur dhe më të sigurt. Presidenti amerikan gjithashtu theksoi se administrata e tij po punonte për të realizuar blerjen e Grenlandës nga Danimarka.
Komentet duket se shkaktuan shqetësime në Groenlandë, e cila është një territor gjysmëautonom i Danimarkës. Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ka deklaruar se nuk mendon se populli groenlandez dëshiron të ndahet nga Danimarka dhe të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pa ndërhyrje të jashtme.
Deklaratat e Trump kanë nxitur një interes të paprecedentë për pavarësinë e plotë të Groenlandës nga Danimarka, duke e bërë këtë çështje një temë kryesore të Shtëpisë së Bardhë.