Globi

Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Shkruar nga Liberale

Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e mbështet përdorimin e raketave me rreze të gjatë nga ana e Ukrainës, teksa mbrohet kundër pushtimit rus, dhe ka thënë se Gjermania duhet t’i dërgojë shpejt sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë, Taurus, drejt Kievit.

Në një intervistë të publikuar të shtunën nga Funke Mediengruppe, Metsola ka thënë se përkrah dërgimin e raketave të tilla në Ukrainë dhe që duhet lejuar të përdoren kundër shënjestrave në Rusi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, social-demokrat, ka kundërshtuar ashpër dërgimin e sistemit Taurus në Ukrainë.

Partnerët e tij të koalicionit, Demokratët e Lirë dhe Të Gjelbrit, janë në favor të dërgimit të raketave në Kiev. Diskutimet për raketa janë aktualizuar në ditët e fundit pasi Shtetet e Bashkuara është raportuar t’i kenë dhënë leje Ukrainës për t’i përdorur raketat amerikane ATACMS për të sulmuar Rusinë.

Raketat e këtij sistemi mund të sulmojnë një shënjestër deri në 300 kilometra larg. Sistemet gjermane Taurus mund të sulmojnë një shënjestër deri në 500 kilometra largësi.

Sipas Metsolas, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka thënë me të drejtë se Ukraina nuk mund të presë pafundësisht për ndihmë efektive ushtarake, sepse në Perëndim vazhdimisht ka zgjedhje, derisa ukrainasit vdesin çdo ditë në luftë.

“Është alarmante që Rusia po përshkallëzon luftën dhe po intensifikon sulmet me raketa, të cilat tashmë kanë shkaktuar shumë viktima”, ka thënë ajo.

Të enjten, Rusia e ka lëshuar një raketë balistike me rreze të mesme në rajonin Dnjipro të Ukrainës dhe ka paralajmëruar që sulme të tilla mund të shënjestrojnë edhe perëndimin e Evropës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH