Globi

Për çfarë arsye Netanyahu rifilloi bombardimin e Gazës

Shkruar nga Liberale
Për çfarë arsye Netanyahu rifilloi bombardimin e Gazës

Një nga pasojat e shkeljes së armëpushimit në Rripin e Gazës nga ana e Izraelit është forcimi i krahut të ekstremit të djathtë në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Itamar Ben-Gvir, ish-ministri radikal që në janar iu bashkua protestës kundër nënshkrimit të armëpushimit, është pranuar në qeveri, ndërsa liderët e tjerë fondamentalistë të koalicionit, të cilët javët e kaluara kishin kërcënuar se do të largoheshin, kanë ndryshuar qasje dhe i kanë dhënë mbështetje qeverisë, tani që Netanyahu ka rinisur luftën.

Kalkulimet politike dhe mbijetesa në pushtet e Netanyahut, kanë qenë gjithmonë, faktorë që kanë përcaktuar strategjinë e qeverisë për luftën në Rripin e Gazës. Por në vendimin për të shkelur armëpushimin të nënshkruar në janar dhe për ta bërë këtë pa paraqitur asnjë justifikim të rëndësishëm, kalkulimi politik nuk duket vetëm një nga faktorët, por ai që e ka përcaktuar atë.

Gjatë dy muajve të fundit, qeveria izraelite ka treguar disa herë se nuk kishte ndërmend të respektonte marrëveshjen për armëpushimin. Pas një faze fillestare, marrëveshja parashikonte fillimin e një "faze të dytë" që do të përfshinte lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza: një hap i rëndësishëm për të përfunduar luftën. Megjithatë, Netanyahu kishte bllokuar negociatat, duke propozuar një lloj zgjatjeje të fazës së parë. Zbatimi i fazës së dytë do të kishte nënkuptuar fundin e qeverisë së tij, pasi aleatët e tij më ekstremistë, ata që ishin kundër marrëveshjes, kishin thënë se do të largoheshin nga ekzekutivi.

Siç ka ndodhur edhe me refuzimin për të negociuar fazën e dytë, Izraeli ka tentuar të fajësojë Hamasin për rinisjen e bombardimeve në Rripin e Gazës. Amos Harel, analist i çështjeve ushtarake, ka shkruar në Haaretz: "Izraeli ka shkelur qëllimisht armëpushimin – me miratimin amerikan – sepse nuk donte të respektonte kushtet e marrëveshjes që kishte pranuar dy muaj më parë". Gjatë bombardimeve të së martës janë vrarë të paktën 400 palestinezë: ka qenë një nga ditët më të dhunshme që nga fillimi i luftës.

Rinisja e bombardimeve dhe kthimi i Ben-Gvir në koalicion ka qenë thelbësor për Netanyahu-n edhe sepse, deri në fund të muajit, qeveria e tij kishte detyrim të miratonte buxhetin e shtetit në Kneset (parlamenti): nëse nuk do ta kishte arritur këtë, sipas ligjit, qeveria do të shpërndahej dhe Izraeli do të shkonte në zgjedhje të reja. Pa Ben-Gvir dhe me mbështetje të pasigurt nga aleatët e tjerë fondamentalistë, qeveria kishte një shumicë shumë të ngushtë, 62 deputetë nga 120, dhe rrezikonte të binte. Tani, duket se do e sigurojë miratimin e buxhetit.

Mbështetjeja e fortë e aleatëve fondamentalistë mund t’i mundësojë Netanyahu-t të arrijë edhe objektiva të tjerë. Kryeministri po përpiqet të shkarkojë Ronen Bar, drejtorin e Shin Bet, shërbimi sekret izraelit: për arsyen se ai është kundër rinisjes së luftës dhe, pjesërisht sepse Shin Bet po kryen hetime mbi përgjegjësitë e qeverisë, për dështimin, në parandalimin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Gjithashtu, qeveria po përpiqet të rilindë, të paktën pjesërisht, reformën e dështuar të drejtësisë, e cila kishte për qëllim të rrisë kontrollin e ekzekutivit mbi sistemin gjyqësor të vendit. Gjatë viteve të fundit, reforma kishte shkaktuar protesta masive dhe më pas ishte refuzuar kryesisht nga Gjykata e Lartë izraelite.

Por, nëse Netanyahu ka arritur të forcojë qeverinë e tij në nivelin parlamentar, vendimi për të rinisur luftën në Gaza është shumë i papëlqyer mes popullsisë, e cila mendon se prioriteti duhet të jetë çlirimi i pengjeve. Hamas mban ende 59 pengje izraelitë, 35 të cilët mendohet të jenë të vdekur.

Sipas një sondazhi të Institutit të Demokracisë të Izraelit, një qendër studimore në Jeruzalem, 73 për qind e izraelitëve mbështesin vazhdimin e negociatave me Hamasin për të siguruar çlirimin e të gjitha pengjeve. Mbështetje për vazhdimin e negociatave kanë dhënë edhe 56 për qind e izraelitëve që e quajnë veten konservatorë dhe 62 përqind e votuesve të Likud-it, partisë së Netanyahu-s.

Ndërkohë, rinisja e luftës në Gaza mund të mos përfshijë vetëm bombardime. Mediat izraelite shkruajnë se qeveria po shqyrton një operacion të ri tokësor në Rripin e Gazës, që do të kërkonte thirrjen e mijëra rezervistëve për herë të dytë brenda disa muajsh. Qeveria është e bindur se kjo mund t'i përshtatet asaj nga pikëpamja ushtarake, tani që ka mbështetje të pakushtëzuar nga administrata amerikane e Donald Trump-it.

Por, nëse pas 7 tetorit, zemërimi dhe trishtimi për sulmin e Hamasit i dhanë mbështetje të madhe popullore luftës, një operacion i dytë tokësor, mund të realizohet kundër vullnetit të izraelitëve, të cilët tani duan negociata./ Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH