Gjermania ka ndaluar një organizatë ekstremiste të krahut të djathtë e lidhur me të ashtuquajturën lëvizje “Reichsbürger” (Qytetarët e Rajhut). Në këtë kuadër, autoritetet gjermane ndërmorën bastisje që në orët e para të mëngjesit në banesat dhe pronat e liderëve të kësaj organizate, bëri të ditur Ministria e Brendshme.
Sipas qeverisë gjermane, qindra forca sigurie kryen kontrolle në disa lande të Gjermanisë në prona të lidhura me grupin e vetëshpallur “Königreich Deutschland” (Mbretëria e Gjermanisë), duke arrestuar katër prej anëtarëve kryesorë të tij.
Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt theksoi se rreth 6,000 pjesëtarë të këtij grupi kishin krijuar një strukturë paralele që sfidonte shtetin dhe kishin ngritur rrjete të paligjshme ekonomike. Sipas tij, grupi përdorte teori konspirative me përmbajtje antisemite për të justifikuar pretendimin për pushtet dhe veprimtarinë e tyre, duke shtuar se Gjermania nuk do të tolerojë sulme ndaj rendit demokratik.
“Ne do të ndërhyjmë me vendosmëri kundër kujtdo që kërcënon rendin tonë demokratik dhe liritë themelore,” deklaroi Dobrindt.
Ministria e Brendshme njoftoi gjithashtu se do të bllokojë platformat dixhitale të grupit dhe do të konfiskojë asetet e tij për të ndaluar përdorimin e burimeve për qëllime ekstremiste.
Lëvizja “Qytetarët e Rajhut” nuk e njeh shtetin gjerman dhe pretendon se Rajhu i vjetër ende ekziston. Anëtarët e saj shpesh refuzojnë të respektojnë autoritetet shtetërore, të paguajnë taksat apo të pranojnë ligjet dhe institucionet gjyqësore të vendit.
Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar prej vitesh për rrezikun në rritje që paraqet ekstremizmi i djathtë dhe kanë ndërmarrë masa të shumta për ta luftuar.