Ish-presidenti i Uruguajit, José Mujica, i njohur ndryshe si “Pepe”, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Shkaku i vdekjes nuk dihet, por ai vuante nga kanceri në ezofag.
Pepe ishte njeriu që udhëhoqi Uruguajin nga viti 2010-2015 njihej si “presidenti më i varfër” i botës për shkak të jetesës së thjeshtë që bënte.
Ndërkaq, presidenti aktual, Yamandú Orsi ndau lajmin në X duke shkruar:
“Faleminderit për gjithçka na dhe dhe dashurinë tënde të thellë për popullin tënd.”
Thjeshtësia e tij si president, kritikat ndaj konsumerizmit dhe reformave sociale që promovonte, ndër të cilat e bëri Uruguajin vendin e parë që legalizonte përdorimin mjekësor të marijuanës, e kthyen Mujica në një figurë të njohur politike në Amerikën Latine dhe përtej.
Popullariteti i tij është i pazakontë për një president të Uruguajit, një vend me 3.4 milionë banorë.
Dashuria për librat dhe tokën iu trashëgua nga e ëma. Në rini, Mujica ishte anëtar i Partisë Kombëtare, një forcë tradicionale politike që në qeverinë e tij u kthye në opozitën e qendrës së djathtë.
Në vitet 1960, ndihmoi në themelimin e një grupi gueril të majtë që kryente sulme, rrëmbime dhe ekzekutime, edhe pse ai ka thënë gjithnjë se nuk ka kryer vrasje.
Mujica është kapur 4 herë, qëlluar 6 dhe ka qenë në prag të vdekjes.
Ai ia ka mbathur dy herë nga burgu. Në vitet 1970-1980, ai kaloi mbi 14 vjet në burg ku u torturua dhe e kaloi pjesën më të madhe të kohës në kushte të vështira e izolim, derisa u lirua në vitin 1985 me ardhjen e demokracisë.
BBC shkruan se Mujica thoshte se gjatë kohës së qëndrimit në burg, u çmend dhe vuante nga deluzionet e madje fliste me milingonat. Dita kur u lirua ishte kujtimi i tij më i lumtur: “Të bëhesha president ishte hiçgjë para saj”.
Uruguaji tërhoqi vëmendje për ligjet që miratoi gjatë atyre viteve si legalizimi i abortit dhe njohja e martesave të të njëjtit seks.
Gjatë kohës që shërbente si president, Mujica refuzoi të qëndronte në pallatin presidencial. Ai jetonte me bashkëshorten, Lucía Topolansky në një shtëpi të thjeshtë në periferi të Montevideo, pa shërbyes dhe me fare pak truproja.
Kësaj i shtohej fakti që vishej gjithnjë thjesht, kishte një makinë Volkswagen Beetle të vitit 1987 dhe dhuronte një pjesë të madhe të rrogës së tij, duke u quajtur nga mediat “presidenti më i varfër i botës”.
Por ai e refuzonte gjithmonë: “Ata thonë që jam presidenti më i varfër. Jo, nuk jam. Të varfër janë ata që duan më shumë…sepse janë në një garë pa mbarim”.
Mujica u tërhoq nga politika në vitin 2020, megjithëse mbeti një figurë qendrore në Uruguai.
Trashëgimtari i tij politik, Yamandú Orsi, u zgjodh president i Uruguait në nëntor 2024 dhe grupi i tij brenda Frente Amplio mori numrin më të madh të vendeve parlamentare që nga kthimi i vendit në demokraci.
Vitin e kaluar, Mujica njoftoi se vuante nga kanceri dhe referencat për moshën e tij dhe afërsinë e pamëshirshme të vdekjes u bënë më të shpeshta - por ai gjithmonë e pranoi rezultatin përfundimtar si diçka të natyrshme, pa dramë.Në fund të presidencës, Mujica tha:
“Çfarë ia tërheq vëmendjen botës? Që unë jetoj me pak, në shtëpi të thjeshtë, që vozis një makinë të vjetër? Atëherë bota është çmendur sepse habitet nga ajo që është normale”.