Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump janë nisur drejt Arabisë Saudite. Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff pritet të fillojnë negociatat për arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, por nuk është ende e qartë nëse në këtë tryezë do të ketë përfaqësues të Kievi, pasi vetë presidenti Zelensky ka thënë se nuk e ka marrë një ftesë për të qenë atje.
Ndërsa Presidenti amerikan pritet ta shpallë këtë plan në dy javët e ardhshme disa media si Daily Mail, apo gazeta ukrainase Strana që citojnë burime diplomatike, thonë se Trump do kërkojë armëpushim në Ukrainë brenda datës 20 prill.
Po ashtu në këtë plan parashikohet që rindërtimi i Ukrainës t’i faturohet vendeve europiane, afërsisht 486 miliardë dollarë. Ukraina do të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO të paktën për një dekadë.
Plani përfshin gjithashtu krijimin e një zone të çmilitarizuar të drejtuar nga trupat evropiane, pa përfshirje të drejtpërdrejtë të oficerëve dhe ushtarëve amerikanë, ndërsa Ukraina do të njohë sovranitetin rus mbi rajonet që aneksoi në mënyrë të njëanshme. Ukraina do të detyrohet të tërheqë trupat nga rajoni rus i Kurskut.
Ndonëse të pakonfirmuara zyrtarisht dhe larg kërkesave të qeverisë Zelensky, mediat thonë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës do të nisin mes Trump e Putin deri më 20 shkurt, çka përkon me përvjetorin e tretë të luftës, e më pas SHBA-të thuhet se do ta shtynin Ukrainën të pranonte një armëpushim deri më 20 prill.
Fakt është se rreth datës 20 shkurt është planifikuar një vizitë në Ukrainë nga i dërguari special amerikan Keith Kellogg, i cili po merr pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë së Mynihut ku tha se “Evropa do të konsultohej, por nuk do të ulej në tryezën e bisedimeve të paqes për Ukrainën”.
Një paqe që duket favorizon më shumë Rusinë e dëshmon edhe deklarata miqësore e zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i cituar nga agjencitë e Moskës, i cili komentoi deklaratat e trump për fundin e luftës, duke thënë se presidenti amerikan është ” i mirëpritur në Rusi sa herë që dëshiron ta vizitojë”.