“Të paktën 17 persona u vranë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës këtë mëngjes, duke lënë pas trupa të djegur dhe njerëz të zhdukur nën rrënoja”, tha Agjencia Palestineze e Mbrojtjes Civile.
Sulmi më vdekjeprurës ndodhi në një shkollë, e cila strehon persona të zhvendosur në qytetin e Gazës, në pjesën veriore të enklavës palestineze.
Sulmi vrau 11 njerëz dhe plagosi 17 të tjerë, “përfshirë gra dhe fëmijë”, tha për AFP zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Palestineze Mahmoud Bashal.
“Bombardimi shkaktoi një zjarr të madh në ndërtesë dhe u gjetën shumë trupa të djegur,” vuri në dukje ai.
Katër persona u vranë gjithashtu dhe “shumë të tjerë janë zhdukur nën rrënoja” pasi zjarri izraelit goditi shtëpitë në Rripin lindor të Gazës, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile.
Një goditje në një shtëpi në Jabalia, në pjesën veriore të enklavës, vrau një fëmijë dhe një tjetër në një shtëpi në Khan Yunis, në pjesën jugore të enklavës, vrau një burrë, tha Mahmoud Basal.
“Ne morëm thirrje për ndihmë nga shumë persona të bllokuar nën rrënoja në zona të ndryshme të Rripit të Gazës”, shtoi ai.
“Ne nuk kemi mjetet dhe pajisjet e nevojshme për operacionet e shpëtimit dhe për gjetjen e trupave,” vazhdoi ai.