Globi

Biden dhe Zelensky nënshkruajnë marrëveshje të sigurisë

Shkruar nga Liberale

Biden dhe Zelensky nënshkruajnë marrëveshje të sigurisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kanë nënshkruar më 13 qershor një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre. Zelensky tha gjithashtu se vendit të tij “urgjentisht” i duhen sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur ukrainasit dhe infrastrukturën e vendit nga bombardimet e vazhdueshme të Rusisë.

Marrëveshja u nënshkrua në margjinat e samitit vjetor të G7-ës, të mbajtur këtë vit në Itali dhe Biden tha se qëllimi “është të forcojë aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të Ukrainës”.

Zelenskyy tha në një konferencë të përbashkët shtypi se nënshkrimi ishte një “ditë vërtet historike”, por ai gjithashtu pyeti për qëndrueshmërinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Secila palë mund ta ndërpresë marrëveshjen me shkrim me një paralajmërim prej gjashtë muajsh, që do të thotë se një president i ardhshëm i SHBA-së, mund të anulojë marrëveshjen.

“Marrëveshja jonë e sigurisë është një urë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO,” tha ai.

Zelensky gjithashtu theksoi se marrëveshja përfshin avionë luftarakë F-16 dhe armë të tjera që Ukraina i ka kërkuar për një kohë të gjatë.

Biden tha se marrëveshja do t’u lejojë të dy vendeve të zgjerojnë shkëmbimin e inteligjencës dhe të vazhdojnë trajnimin e trupave ukrainase. Pakti i sigurisë, i cili do të mbetet në fuqi për 10 vjet, nuk i ofron Ukrainës ndonjë para të re, por përfshin një angazhim të SHBA-së për të punuar me Kongresin për një burim financimi të qëndrueshëm për të ardhmen.

Biden u shpreh i bindur se marrëveshja do ta bëjë Ukrainën “të fortë dhe të qëndrueshme”.

Ai shtoi se Departamenti i Thesarit e ka bërë të qartë se çdo bankë në botë që bën biznes me bankat ruse të sanksionuara, do të sanksionohet vetë.

“Putini nuk do të na ndajë dhe ne do të qëndrojmë me Ukrainën derisa ata të fitojnë këtë luftë”, tha Biden. Gjithashtu më 13 qershor, liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse. Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH