
Seriali i njohur nga Netflix “Adoleshenca” ka rezultuar një projekt kinematografik mjaft i suksesshëm dhe që nga publikimi i tij ka patur 114 milionë shikime.
Ky serial tregon historinë e 13-vjeçarit Jamie Miller, i luajtur nga Owen Cooper, një djalë që akuzohet për vrasjen e një shoqe të klasës.
Pavarësisht performancës së tij të jashtëzakonshme në aktrim, Owen ka zbuluar së fundmi se nuk e ka parë të gjithë serialin, pasi nuk ndihet rehat duke parë veten në ekran. Owen, i cili ishte vetëm 13 vjeç kur mori rolin, ka qenë në qendër të vëmendjes që pas suksesit të serialit.
Pas kthimit në shkollë, ai u përball me reagime të ndryshme nga shokët e klasës, duke theksuar se vëmendja ndaj tij fillimisht u rrit, por me kalimin e kohës u zbut.
Në një intervistë me The New York Times, javën e kaluar, Owen pranoi se kthimi i tij në normalitet pas rolit ishte ‘pak i vështirë’. Cooper, pritet të marrë çmimin e aktorit dytësor në çmimet e ardhshme Emmy për portretizimin fantastik të personazhit kryesor.
Ky projekt kinematografik më herët tërhoqi edhe vëmendjen e Kryeministrit britanik Keir Starmer. Ai u shpreh se seriali duhet të shfaqet në të gjitha shkollat e Britanisë së Madhe me qëllim ndërgjegjësimin për ndikimin që kanë mediat sociale tek adoleshentët.