BE

Vuçiç paralajmëron krijimin e një pakti ushtarak me Hungarinë, Dodik kërkon përfshirje – hesht NATO dhe BE

Shkruar nga Liberale
Vuçiç paralajmëron krijimin e një pakti ushtarak me

Pas intensifikimit të bashkëpunimit ushtarak me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur publikisht dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak të ri në rajon.

Sipas tij, bashkëpunimi me Hungarinë do të thellohet përmes aktiviteteve të përbashkëta dhe ndoshta përmes një strukture të re ushtarake që do të formalizohet në të ardhmen.

Vetëm pak ditë pas deklaratës së Vuçiçit, edhe presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik – i cili ndodhet aktualisht në Rusi deri më 9 maj – paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje të ngjashme ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë. Kjo, pavarësisht se ndaj tij ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar.

Zyrtarët hungarezë nuk kanë komentuar publikisht për këto lëvizje, ndonëse Hungaria është një shtet anëtar i NATO-s. Po ashtu, as Aleanca Veri-Atlantike nuk ka reaguar deri më tani për ambiciet e Beogradit dhe Banjallukës, që ngjallin shqetësime për krijimin e një blloku paralel ushtarak në zemër të Ballkanit.

Në Beograd, më 1 prill, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiq dhe Kristóf Szalay-Bobrovniczky, nënshkruan Planin e bashkëpunimit ushtarak për vitin 2025. Ky dokument është një hap konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, e nënshkruar në vitin 2023.

Analistët politikë e shohin këtë zhvillim si një përgjigje ndaj nismës trepalëshe të nënshkruar në Tiranë ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, ndërkohë që brenda vetë Serbisë, kritikët e Vuçiçit e akuzojnë atë për përdorimin e temave gjeopolitike si mjet për të larguar vëmendjen nga protestat studentore që kanë tronditur stabilitetin e tij politik.

Poll
SHQIPENGLISH