
Franca planifikon të njohë Palestinën si shtet. Presidenti Emmanuel Macron u shpreh për televizionin France 5 se kjo pritet të ndodhë në Qershor.
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes së shtetit palestinez dhe gjatë muajve të ardhshëm do ta bëjmë këtë. Nuk po e bëj për të kënaqur askënd por do ta bëj sepse në një moment do të jetë gjeja e duhur për t’u bërë”, u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron.
Edhe pse Palestina është njohur si një shtet sovran nga pothuajse 150 vende, shumica e fuqive të mëdha nuk e kanë njohur, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.
Ndër vendet që nuk e njohin Izraelin janë Arabia Saudite, Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni. Franca ka mbrojtur prej kohësh një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, edhe pas sulmit të 7 Tetorit 2023 nga Hamasi.
Por njohja formale nga Parisi e shtetit palestinez do të shënonte një ndryshim të madh në politikën e jashtme.