Hetimet për atentatin ndaj kryeministrit Robert Fico, që tronditi Sllovakinë, kanë bërë një hap përpara. Sipas ministrit të Brendshëm personi, emri i të cilit nuk është zyrtarizuar ende, mund të mos ketë punuar i vetëm.
Personi i dyshuar se kreu atentatin ndaj kryeministrit Robert Fico mund të mos ketë punuar i vetëm.
Këtë pretendim ka ngritur ministri i Brendshëm i Sllovakisë, i cili tha se një ekip i posaçëm po heton mundësinë që sulmi i së mërkurës të mos jetë kryer nga një "ujk i vetmuar", siç besohej më parë shpjegon Matus Sutaj Estok.
I akuzuari për vrasjen në tentativë ndaj kryeministrit u la në paraburgim deri në përfundimin e hetimeve.
Ende nuk ka një emër të publikuar zyrtarisht për të, por raportet sllovake e kanë identifikuar gjerësisht si Juraj Cintula 71-vjeçar nga qyteti Levice.
Mediat vendase e kanë cilësuar si një poet që ka qenë i përfshirë në organizata politike me ideologji të ndryshme.
Në një konferencë për shtyp të dielën, ministri i Brendshëm Estok tha se këto dyshime janë bazuar në informacionet e shërbimeve të inteligjencës, duke përfshirë faktin se dy orë pas sulmit dhe pasi i dyshuari ishte arrestuar, historia e tij në “Facebook” ishte fshirë.
Jeta e Fico-s nuk është më në rrezik pas operacionit, por 59-vjeçari ende kërkon kujdes intensiv, tha më herët zëvendësi i tij.
Robert Kalinak shtoi se: “Më e keqja që i trembeshin tani për tani ka kaluar”.
Ai shtoi se Fico do të qëndrojë në Banska Bystrica për momentin.
Kryeministri u qëllua nga një distancë e afërt teksa po përshëndeste mbështetësit pas një takimi të qeverisë në qytetin e vogël Handlova.
Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estok tha se nëse një nga të shtënat do të shkonte disa centimetra më lart, do ti kishte goditur mëlçinë. Sulmi ka tronditur Sllovakinë.