Çmimi i naftës bruto ra me më shumë se 3% në mesin e njoftimeve se grupi i G7-tës planifikon të vendosë një tavan mbi kuotimin e naftës ruse, ndërsa rezervat amerikane u mbushën më shpejt nga ç’e prisnin specialistët.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte gati 2.9 dollarë më i ulët se në mbylljen e shkëmbimeve të një dite më parë dhe ne fund, u pozicionua në 85.41 dollarë për fuçi.
Në tregun amerikan një fuçi u tregtua me 3,7% më pak, çka e çoi çmimin në 77.94 dollarë për fuçi. Rezervat e benzinës në SHBA u rritën me 3 milionë fuçi, duke kapërcyer disa herë parashikimin e analistëve për një rritje prej 383 mijë fuçish.
Në tregun e Europës Veriperëndimore, një fuçi nafte ruse Urals aktualisht qëndron në 62 deri në 63 dollarë, dhe në tregun mesdhetar, është rreth 67 deri në 68 dollarë, sipas të dhënave të Refinitiv. Ekspertë të Thesarit amerikan pohuan se ky kufi ka të ngjarë të rregullohet disa herë në vit.
.