Ministria e Financave ka publikuar performancën paraprake të të ardhurave dhe shpenzimeve për muajin Prill 2025, shifra të cilat pasqyrojnë një ecuri pozitive në të dy drejtimet.
Të ardhurat totale për këtë muaj arritën në rreth 246.45 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 0.3% dhe shënuar një rritje prej 6.2% krahasuar me Prillin e vitit të kaluar. Ndërkohë, shpenzimet publike u regjistruan në 207.87 miliardë lekë, me një realizim prej 94.3% të planit dhe një rritje prej 11.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndikim pozitiv duket se kanë dhënë administrata tatimore dhe doganore, me të ardhurat që përllogariten në 163.9 miliardë lekë për periudhën Janar-Prill, duke tejkaluar planin me 0.9% dhe shënuar një rritje prej 11.3% krahasuar me një vit më parë.
Sipas Ministrisë së Financave këto të dhëna pasqyrojnë një menaxhim të kujdesshëm fiskal dhe një përmirësim të vazhdueshëm në mbledhjen e të ardhurave, duke reflektuar një ekonomi në rritje dhe një administratë më efikase.