Letërsi

Bekteshi: E shkruara i dha kuptim të veçantë qëndrimit në karantinë

Shkruar nga Liberale
Bekteshi: E shkruara i dha kuptim të veçantë qëndrimit

Intervistë  me shkrimtaren Vera Bekteshi, fituese e Çmimit Libri i Karantinës, me librin  me tregime Bella Ciao

 Ju jeni fituese e konkursit të librit të karantinës. Si ka qenë eksperienca juaj në këtë garë jo të zakonshme?

Kur dëgjova se ishte çelur ky konkurs, më pëlqeu ideja, por nuk vendosa menjëherë, veçse u bëra edhe më e vëmendshme për të kapur çdo informacion nga vendi dhe veçanërisht nga bota. Që në fillim të vitit qarkullonin lajme se së shpejti do përfshiheshim edhe ne në një ngjarje të jashtëzakonshme, siç janë në fakt pandemitë. Ishim të trembur natyrisht por askush nuk e kupton të keqen nëse ajo nuk i vjen tek pragu. Që nga shekulli i kaluar d.m.th. nga 1920-ta, bota nuk kish hasur në një ngjarje të kësaj përmase, dhe më duket se edhe kjo pandemi po merr disa tipare nga gripi spanjoll i asaj periudhe, që erdhi valë-valë për plot tre vjet në jetët e njerëzve të gjithë globit, po veçanërisht në Evropë.

Libri është shkruar në kohë karantine, si ka qenë ky proces?

Nga njëra anë kisha drojën se shkrimi i një ngjarje në kohë reale, pra për diçka që po ndodh dhe që është një ngjarje e panjohur (si të gjitha gjëmat që pllakosin papritur), ka vështirësinë e madhe se jo vetëm je nën gjykimin e të gjithëve, por edhe koha nuk ka krijuar ende konturet e saj. Hezitimi lidhej edhe me faktin se mund të bije në kthetrat e reportazhit. Por nga ana tjetër ky konkurs të jepte një  mundësi jo të zakonshme, sepse këto lloj shkrimesh mund të lënë gjurmë të pakontaminuara nga koha dhe stërhollimi i mëpasmë. Është pak si të mbash kronikat e një beteje, në një kohë lufte. Përveçse për të gjithë ne tetëdhjetë e ca pjesëmarrës në këtë konkurs, e shkruara jo vetëm na e lehtësoi qëndrimin në karantinë, por edhe i dha një kuptim të veçantë asaj.

Ju besoni se në letërsi personazhet gra janë më të sinqerta?

Mendoj se si në letërsi dhe në jetë, personazhet gra nuk janë aspak më të sinqerta. Përkundrazi besoj se duke qenë historikisht pa pushtet dhe duke e ndjerë të kenë të njëjtat aftësi me palën tjetër, grave u është dashur shpesh ta fshehin mendimin, por duke mos e njohur rrugën drejt pushtetit, nuk kanë ditur të bëjnë aleanca, që burrat i njohin dhe zbatojnë fort mirë. Jo, nuk mendoj se gruaja është më e mirë, ajo fjala e vjetër se ka futur shejtanin në shishe ka brenda edhe pak të vërtetë, shpesh gratë e kanë shumë të zhvilluar aftësinë e manipulimit, gjë që e kemi provuar edhe në kurriz. Ajo që unë njoh dhe çmoj tek gratë është këmbëngulja, aftësia për të kryer sakrifica sublime, edhe sepse janë nëna, motra dhe bija, si dhe një lloj përgjegjshmërie më e lartë, në krahasim me palën tjetër.

Duke folur kryesisht për to, jo më kot kam futur një koncept që e kam quajtur tirania e përditshmërisë dhe që ne gratë e njohim mirë. E kam fjalën për atë tirani që ka të bëjë me çdo ditë të vitit dhe nga e cila e kemi të vështirë të shkëputemi, jo sepse nuk jemi të zonjat të bëjmë punë ‘të mëdha’, por sepse e ndjejmë si detyrë, si përgjegjshmëri, sepse familja mbështet kryesisht mbi shpatullat tona. Gjatë shkrimit të këtij libri kjo lloj tiranie sigurisht që më ka penguar, aq më tepër se gjatë karantinës, sidomos në fillimet e saj, ne u bëmë si të ndërkryera në pastrimin dhe dezinfektimin e gjithçkaje që preknim jashtë e brenda. Për fat u lodhëm, sepse përndryshe do na qenë bërë duart copë.

Bella Ciao, çfarë i bashkon këto gra?

Bella Ciao është grupi përmes të cilit jam përpjekur të jap sjelljet njerëzore gjatë një traume të tillë. Ato komunikojnë përmes mesazheve në WhatsApp, herë normalisht, herë të trembura ose edhe në panik, gjë që është normale të ndodhë në të tilla raste, por herë herë dhe me pakëz humor sepse mënyra më e mirë për të kaluar izolimin është pikërisht humori, apo jo?  Nga ana tjetër flas dhe për një mjedis njerëzish të thjeshtë, që janë gati të rrezikojnë edhe  veten në ndihmë të të afërtit, pa pasur asnjë lidhje gjaku, apo familjare. Në rastin e këtij grupi grash, që nuk është tipik, ato i bashkon aftësia për t’i thënë hapur mendimet, si dhe kanë shumë shije të përbashkëta, gjë që përbën një nga kyçet e miqësisë. Përveç të tjerash i bashkon dhe sfida për të kryer punë të mira në një garë të ndershme me njëra tjetrën, duke i kapërcyer pa ndonjë konflikt mosmarrëveshjet e grupit. Besoj se është një grup simpatik, po kjo i mbetet lexuesit për ta vendosur. Me të, pra me lexuesin, kam dashur të ndaj dhe disa nga postimet e këtij këmbimi, siç është për shembull rasti i pikturës së njohur të Rembrantit, Rojet e natës, për të cilën ato japin komente, jo për të treguar kulturën e tyre, por sepse kjo u jep kënaqësi dhe i largon nga ajo tirania e përditshmërisë. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH