Aktualitet

BE ul në tryezë Vuçiç dhe Kurtin, bisedimet nisin në ora 14:00. A do të "zbutet" Albin Kurti sot në Bruksel?

Shkruar nga Liberale
BE ul në tryezë Vuçiç dhe Kurtin, bisedimet nisin

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimi në Bruksel në kuadër të dialogut Serbi-Kosovë do të fillojë rreth orës 14:00 dhe me shumë mundësi, edhe pse gjithçka varet nga zhvillimet, takimi do të jetë i ndarë.

Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.

“Takimet do të nisin rreth 14:00”, tha Massrali.

Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të ulur tensionet aktuale në mënyrë që palët të rikthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

Zyrtarët e BE-së  nuk kanë treguar nëse do të ketë një takim trepalësh Kurti-Vuçiç-BE.

“Të dy liderët do të jenë në Bruksel. Është pak herët për të treguar se si do të shkojnë gjërat. Diskutimet janë mundësi për të dy liderët për të treguar gatishmëri për të qenë konstruktivë dhe deeskaluar. Përgjegjësia për të gjetur zgjidhje i takon të dyja palëve dhe në presim që ata të tregohen konstruktivë”, ka thënë një zyrtare e BE-së.

Sakaq, i dërguari amerikan, Gabriel Escobar e ka kundërshtuar idenë e kryeministrit Albin Kurti që të ketë dakordësim për parimet e Asociacionit para se Kosova ta paraqesë një draft-statut. “Nuk ka përse të presë për këtë”, thotë diplomati amerikan, duke theksuar se po kërkojnë vetëm një model europian që s’do ta pengojë funksionalitetin e shtetit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para dy javësh tha se mund ta thellojë draft-vizionin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e kishte paraqitur në takimin e 2 majit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Por, ai fillimisht kërkon që të ketë pajtueshmëri për parimet kryesore të Asociacionit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH