Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbledhi të dielën Këshillin Kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në këtë forcë politike, një ditë pas Kuvendit të thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët votuan për shkarkimin e zotit Basha. Këshilli miratoi një rezolutë sipas së cilës, vendimet e Kuvendit të djeshëm janë ta pavlefshme, si dhe votoi për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Edi Paloka, 4 sekretarëve si dhe disa anëtarëve të kryesisë, në një votim që rezultoi në 251 vota pro shkarkimit, 4 kundër ndërsa 2 vota u shpall të pavlefshme.
Situata në Partinë Demokratike po bëhet gjithnjë e më e nderë. Që prej ditës së djeshme dhe vendimeve të marra nga Kuvendi i thirrur prej zotit Berisha dhe mbështetësve të tij, janë dy palë që nuk e njohin njëra-tjetrën. Mes tyre tanimë, po zhvillohet një luftë nervash dhe force.
Kuvendi i djeshëm shkarkoi strukturat drejtuese aktuale të Partisë Demokratike, sikundër dhe zotin Basha. Por ky i fundit, siç dhe pritej, që mbrëmë pas mbledhjes së kryesisë deklaroi se: “asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD-së. Ne u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës".
Kuvendi i djeshëm ngriti Komisionin për Rithemelimin e Partisë Demokratike, një strukturë që sipas tyre do të drejtojë Partinë deri në zgjedhjen e strukturave të reja. Ky Komision iu drejtua sot me një thirrje për bojkot anëtarëve të Këshillit Kombëtar të thirrur nga zoti Basha, pasi sipas tij “mbledhja e Këshillit e thirrur nga deputeti Lulzim Basha është nul dhe e paligjshme”.
Zoti Basha iu kundërpërgjigj me një tjetër mesazh duke theksuar se “PD-ja nuk do të mbahet peng dhe nuk do të terhiqet zvarre nga askush! As nga ai që sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, në luftë të hapur me SHBA-të”.
Më herët, ish-Kryeministri Berisha përmes një statusi në Facebook duke iu drejtuar demokratëve ishte shprehur se "tani është koha për veprim", duke i ftuar ata që t’i bashkoheshin atij “në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike”, ndërsa mbrëmë në përfundim të Kuvendit ishte shprehur se "selia është një dhe vetëm një. Selia e demokratëve është ajo që ndodhet aty dhe do shkojmë, absolutisht, në momentin më të parë që do vendosim".
Në mesazhin e tij të sotëm, zoti Basha pati dhe një përgjigje për pararendësin e tij kur tha se “askush, përfshirë Sali Berishën, nuk do të ketë shansin të kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre”.
Këshilli Kombëtar votoi për të shkarkuar nga funksionet kryetarin e këtij forumi të lartë, Edi Palokën, 4 sekretarët si dhe disa anëtarë të kryesisë, që si ai, ishin pjesë e Kuvendit, në krah të zotit Berisha. Këshilli votoi me 251 vota pro, 4 kundër dhe 2 vota të pavlefshme, për shkarkimin e tyre.
Vendimi u mor me një votim të fshehtë.
“Ata janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Për ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka sekretar të përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, përveç kësaj trupe që sillet si celulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset istitucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD”, shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi përpara votimit.
Në pamjet e shpërndara nga Partia Demokratike, zoti Basha u shfaq teksa pritet me brohoritje nga anëtarët e Këshillit, që po sipas PD-së kishte kuorumin e mjaftueshëm, me afro 290 anëtarë, për të vijuar mbledhjen.
Zoti Basha mësohet të jetë shprehur se "dje me një vendim të paligjshëm, antistatutor ,përçarës, percares, Berisha pezulloi dhe këshillin kombëtar”. Ai kërkoi që “të mos prevalojë retorika përcarëse, pasi kjo është sipas tij rruga e vetme për të ecur përpara”.
Këshilli miratoi një rezolutë në të cilën saktësohet se “çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendimi këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike”, duke konfirmuar në të njejtën kohë se “Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës”.
Përmes rezolutës, Këshilli distancohet nga deklarimet e ashpra të zotit Berisha që patën në fokus vendimmarrjen e Departamentit të Shtetit ndaj tij, dhe ambasadoren amerikane në Tiranë. “Lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij Sali Berisha, hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në, nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë
Komisioni i Rithemelimit ka reaguar sërish pas tentativës së deputetit Lulzim Basha për të mbledhur Këshillin Kombëtar, të cilin anëtarët e bojkotuan.
Përmes një deklarate për mediat, Komisioni me 29 anëtarë për Rithemelimin e PD bën të ditur se prej ditës së djeshme Lulzim Basha është shkarkuar nga kryetar i PD dhe ka humbur çdo funksion përveç atij të deputetit.
Vendimet e KK, Komisioni i Rithemelimit i konsideron nul dhe të paligjshme.
“Çdo dokument që mban logon e vjetër të PD, është i pavlefshëm”, thuhet më tej në deklaratë, ku gjithashtu specifikohet se “nga data 11 dhjetor, simbolet dhe logoja e Partisë Demokratike është rikthyer tek origjinali mbi të cilin u hartua para 31 viteve”.
Deklarata
Komisioni për rithemelimin e Partisë Demokratike verën se në një kohë që ka nisur puna për rikthimin e Partisë tek vlerat demokratike, konservatore dhe idealet e dhjetorit 1990-të, persona që pervec humbjes, nuk përfaqësojnë më asgjë në Partinë Demokatike vijojnë të përdorin simbolet godinen dhe disa anetare, me shpresen se do vazhdojne pazaret ne kurriz te demokrateve.
Ju bëjmë me dije se më 4446 vota Kuvendi Kombëtar vendosi për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar dhe që prej ditës së djeshme ai ka humbur çdo funksion tjetër përveç atij të deputetit.
Falenderojme shumicen e anetareve te Këshillit Kombëtar qe ju pergjigjen thirrjes se Komisionit te Rithemelimit per te bojkotuar tallavane e deputetit Basha. Ashtu siç dhe e kemi theksuar mbledhja e sotshme është nul, e paligjshme dhe çdo produkt i dalë prej saj është në kundërshtim me frymën dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar si organi më lartë i Partisë Demokratike.
Kuvendi Kombëtar i datës 11 dhjetor me vullnetit e lirë të delegatëve ka miratuar statutin e ri e të Partisë Demokratike i cili është dokumenti themeltar mbi të cilin do të bazohet ringritja e Partisë Demokratike
Bejme me dije, se nga data 11 dhjetor, simbolet dhe logoja e Partisë Demokratike është rikthyer tek origjinali mbi të cilin u hartua para 31 viteve. Nga dje çdo dokument zyrtar i PD që mbart si logon e vjeter është i pavlefshëm.
I kujtojmë antarëve të familjes sonë të përbashkët se, nisma për rithemelimin e Partisë Demokratike është lëvizja më pro amerikane, pro perëndimore dhe pro demokratike që ka ndodhur ndonjëherë në shqipëri pas dhjetorit 1990 pasi ne themel te saj qendrojne vota e lire dhe respekti per statutin e PD si kontrata jone e perbashket me cdo demokrat. Kurre me ne PD nuk do te shiten dhe blihen mandatet e deputeteve! Nga sot e tutje ato do vendosen me transparence te plote nga vota e anetaresise se saj permes primareve.
Nisma për rithemelimin e PD erdhi si domosdoshmëri pas veprimeve të dyshimta dhe korruptive me të cilat ish kryetari i dha oksigjen qeverisë Rama në tetë vite rresht.
Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike, vijon punën për referendumin e datës 18 dhjetor i cili me votën e anëtarësisë do të certifikoje perfundimisht ndarjen nga humbesi i stazhionuar dhe do ti hapë rrugën një proçesi të ndershëm sipas parimit një antar një votë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
I ftojmë të gjithë antarët e familjes sonë të madhe të punojmë për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar dhe më demokratike.