Bashkëpunimi i mazhorancës me Tom Doshin për Partinë Socialiste është një kapitull i mbyllur. Këtë e ka konfirmuar sërish numri dy i socialistëve, Taulant Balla.
Reagimi i tij vjen pasi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, deklaroi se ka marrë premtimin e kryeministrit Edi Rama, për të mos bërë pjesë të qeverisë kryetarin e social-demokratëve, nëse “Rilindja” fiton mandatin e tretë.
"Në vitin 2015, ish deputeti socialist Tom Doshi, me vendim të grupit parlamentar të PS-së është përjashtuar. Përgjegjësia e Edi Ramës, si kryetar i PS-së dhe e imja si Sekretar i Përgjithshëm, është brenda strukturës së PS-së. Sot PS kandidon në zgjedhjet e vitit 2021 pa asnjë aleancë, me asnjë parti. Të vetmit aleatë të PS janë qytetarët e zakonshëm, me të cilët kemi ndërtuar një raport bashkëqeverisje dje këtë raport bashkëqeverisje duam ta çojmë përpara edhe në mandatin tjetër qeverisës", tha Balla.
Diskutimit për modelin përfundimtar të fletës së votimit për zgjedhjet e 25 Prillit, nënkryetari i PS-ë kërkoi që partitë politike mos të kthehen në pengesë, por të përzgjidhet ajo që është më e kuptueshme për zgjedhësit.
Deklaratat numri dy i socialistëve i bëri pas një takimi me senatorin e Rhode Island, Leonidas Raptakis, ku tha se tanimë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë janë jo vetëm në planin politik por edhe atë ekonomik.