Lulzim Hoxha
Kur Aleksandri i Maqedonisë pyeste Diogjenin “A ke frikë nga unë?” ky i fundit i përgjigjet “Varet, ju jeni një gjë e mirë apo një gjë e keqe?” – “E mirë” i përgjigjet Aleksandri. Diogjeni ia kthen “Atëherë përse duhet të kem frikë nga ju?”
Historia na rrëfen se udhëheqësit politikë, jo patjetër kanë qenë një ‘gjë e mirë’ për tërësinë e popullit që ka jetuar në territoret ku ata sundonin. Mirëpo me kalimin e dekadave apo shekujve, këta udhëheqës janë kthyer në një pjesë të pashlyeshme të memories kolektive dhe trashëgimisë politike të vendeve përkatëse. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë gjurmët që kanë lënë këta udhëheqës janë shndërruar në fragmente që kompozojnë të shkuarën e një populli por edhe mekanizmat se si funksionon pushteti sipas botëkuptimit të këtij populli. Jo më kot tekstet e historisë e forcojnë më tej identitetin politik të një kolektiviteti duke portretizuar përfytyrimin e një qeverisjeje të suksesshme që ka ekzistuar në kohën e një x udhëheqësi apo përfytyrimin e mjerimit dhe skamjes që ka mbizotëruar në periudhën e qeverisjes së një tjetri. Si për rastin e parë, edhe për të dytin, tekstet e historisë evidentojnë efikasitetin e një lideri duke u nisur nga perceptimi i përbashkët i një komuniteti mbi atë çka ky komunitet përfytyron se janë funksionet e një udhëheqësi të mirë.
Në rastin e vendit tonë, gjatë 107 vjetëve të fundit, nuk e kemi pasur mundësinë që një udhëheqës të mbetet në tekstet e historisë për lavdinë dhe begatinë që u ka sjellë këtyre trojeve, por ama askush nuk mund ta hedhë poshtë faktin se gjithsecili prej këtyre liderëve ka ekzistuar dhe se ka dhënë kontributin e tij në perceptimin se ‘politikanët janë e keqja më e madhe e këtij vendi’. Por çfarë përfaqëson ekzistenca e këtyre udhëheqësve në (pa)vetëdijen kolektive të këtij komuniteti politik? Si do të mund të justifikohej populli shqiptar për prapambetjen politike, ekonomike, shoqërore, institucionale etj. në mungesë të këtyre baballarëve? Për të kuptuar rolin që mbart figura e ‘babait të popullit” si dhe për t’i parë në një dritë të re funksionet që i atribuohen udhëheqësit në vendin tonë, është e udhës t’i referohemi konceptit “Emri i babait” të formuluar nga psikanalisti francez Jacques Lacan. Sipas Lacan, “Emri i babait mishëron shënjuesin qendror që ndrydh dëshirat dhe fantazitë e subjektit. Ky ‘Big Other’ përfaqëson mungesën dhe represionin, mungesë e cila përmes autoritetit të tij kalon në perceptimin e një dëshire të papërmbushur. Emri i babait identifikohet me funksionin e parandaluesit të realizimit të dëshirave të subjektit.”
Figura e babait simbolik mund të identifikohet si në mikro-komunitete si familja, ashtu edhe në makro-komunitete si shteti. E në raste të tilla si vendi ynë ku organizimet/organizatat private ngatërrohen shpesh me organizimet/organizatat publike, ashtu sikundër edhe vetë publikja me privaten apo informalja me formalen, udhëheqësi politik që të jetë i suksesshëm, shpeshherë duhet të asociohet me figurën e një udhëheqësi-baba. Në këtë kuptim, nëse udhëheqësi mbart tiparet e babait, populli performon rolin e subjektit dëshirues – fëmijës. Po t’i qëndrojmë formulimit të Lacan, dëshirat e popullit shtohen falë mospërmbushjes së tyre nga ‘babai simbolik’. Sa më shumë që udhëheqësi-baba perceptohet si autoriteti që pengon dëshirat e popullit dhe realizimin e aspiratave të tij historike, aq më shumë realitet fitojnë këto dëshira në popull.
Prandaj, domethënia simbolike e pushtetit të tij patrimonial na shfaqet në trajtën e dyfishtë të parandaluesit/garantuesit (prohibitor/inhibitor) ku nga njëra anë liderët tanë perceptohen si fajtorët kryesorë për faktin se kemi mbetur të pazhvilluar e të paintegruar me botën perëndimore, nga ana tjetër ata janë një ndër arsyet pse duhet “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” por edhe shpresat për hapjen e negociatave me BE apo largimit nga vendi bëhen të dëshirueshme pikërisht falë frikës se udhëheqësi-baba “nuk do të na anëtarësojë në BE”. Sipas këtij kuptimi, dëshirat nuk rreshtin së ekzistuari në momentin që përballen me një pengesë, përkundrazi, arsyeja pse ato janë të dëshirueshme është pikërisht për shkak se ato na pengohen. Te libri “Did Somebody Say Totalitarianism?” Slavoj Zizek e portretizon figurën e diktatorit në petkun e “mbartësit të fajit në shoqëri”. Roli i diktatorit është i domosdoshëm për një shoqëri që e percepton veten në kushtet e një regjimi diktatorial dhe që beson te ‘konteksti i favorshëm për instalimin e diktaturave’. Vetëm nëse imagjinohet figura e diktatorit, shoqëria mund të shfajësohet nga problemet e saj.
“Një nga aktet më ç’njerëzore të një despoti” – shkruan Zizek – “është grabitja e sensit të fajit në shoqëri. Duke u identifikuar nga shoqëria si përgjegjësi kryesor i gjendjes në vend, despoti e forcon më tej pushtetin e tij patrimonialist e për rrjedhojë populli kthehet në një fëmijë të pabindur që nuk mban dot përgjegjësi për kushtet e vështira ku ndodhet.” Udhëheqësi patrimonialist i garanton popullit shpresën, frikën, lavdinë, dështimet, progresin apo prapambetjen e fëmijës/popull në gjuhën më të qartë të mundshme, gjuhën që të bind më mirë: gjuhën e pushtetit atëror. A nuk na e ilustron filmi “Joker” një rast të tillë? Pikërisht në kulmin e ekstazës së qytetit “Gotham City” ku maskat e qeshura e të pabindura të clown-ve kishin zaptuar rrugët kryesore, na shfaqet në një rrugicë ‘babai simbolik’ i qytetit, biznesmeni dhe kandidati për Kryetar Bashkie Tomas Uein.
Revoltat kundër autoritetit të tij kishin dalë nga kontrolli i policisë dhe roli i tij patrimonial si frenues i dëshirave të qytetarëve tashmë nuk mund të performohej më. Akti i vrasjes së Tomas Uein shënon momentin e shijimit (jouissance) të shfrenuar për ‘të qeshurit e skamur’ ose ‘fëmijët e lirë’ të qytetit. Eliminimi i udhëheqësit patrimonialist shfaqet si zhdukja e atypëratyshme e pengesës që na e ndalon të shijojmë realizimin e dëshirave tona, por duke na e ndaluar, ai na mundëson që t’i çojmë në ekstrem këto dëshira, e në këtë moment, si në rastin e Tomas Uein te filmi “Joker”, ekseset janë të pashmangshme. Zhdukja e parandaluesit të dëshirave (babait simbolik) shënon shpërthimin e kaosit dhe shijimit (jouissance) të papërmbajtur që tashmë është jashtë patronazhit autoritar të udhëheqësit. E në mungesë të një kufiri ndalues, mospërmbushja e dëshirave shpie në trazira, shthurje dhe shfryrje të mllefit ndaj atij që konsiderohet si mbartësi i fajit. Sipas kësaj perspektive mund ta lexojmë interpretimin që René Girard i bën Dostojevskit kur shkruan se “Në mungesë të autoritetit, gjithçka bëhet e mundur, prandaj autoriteti paraqitet si i nevojshëm, pasi vetëm nëpërmjet tij mund të krijojmë perceptimin e pamundësisë që na ushqen sensin e revoltës”.
Një rast të ngjashëm përfaqësojnë edhe figurat e udhëheqësve në vendin tonë. Imazhi i tyre si liderë të korruptuar që nuk mendojnë fare për interesat e vendit, na mundëson të kemi përherë një figure simbolike që kryen funksionin e parandaluesit të dëshirave tona, madje për t’ia konfirmuar shpeshherë vetes se problemet e një shoqërie shkaktohen nga udhëheqësit, ekzistenca e liderëve si Berisha, Nano, Meta apo Rama ia lehtësojnë detyrën popullit për ta zhvendosur përgjegjësinë. Si do mund të kishte kaq shumë pakënaqësi e për rrjedhojë protesta, revolta, depozitim faji, dëshirë për t’u integruar me perëndimin apo endrra për të ikur jashtë, në mungesë të liderëve të tillë? Pa këta baballarë të shtetit, si do mund të ishte kaq e lartë dëshira për t’u bërë ‘si gjithë Europa’ edhe pse në çdo rast Europa na e ka mbyllur portën e integrimit?
Në mungesë të tyre, si do mund ta asocionim Europën Perëndimore të sotme me kulturën demokratike, meritokracinë apo mundësitë e punësimit? Nëse pranojmë se dëshirat lindin nga konstatimi i një mungese, duhet të themi se gjatë këtyre 107 vjetëve pavarësi, udhëheqësit tanë na kanë furnizuar me një bollëk dëshirash. Ndoshta mund të vijë një kohë ku njerëzit do fillojnë të mendojnë se në këtë vend gjithsecili e bën detyrën e tij përveç qeverisë. Luksi që të ofrojnë udhëheqës të tillë si mbartës të të gjitha problemeve të një vendi, është aq i rëndësishëm për një shoqëri si kjo e jona saqë nëse nuk do t’i kishim këta përfaqësues shtetërorë, do ishte mire t’i shpiknim./Gazeta Liberale