Pritet që Franca të mos ua çelë derën drejt BE-së dy vendeve që presin çeljen e negociatave. Derisa të bëhet reformim i brendshëm i unionit, por edhe i vetë procesit të zgjerimit, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet t’u thuhet “jo” më 18 tetor. Edhe pse është dakord me kushtet gjermane, Parisi pret të shohë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore, ndërsa fqinjëve u kërkon progres me Prokurorinë Speciale. Ndërsa kancelarja Merkel vuri veton që dy vendet kandidate të mos ndaheshin, Macron i ka vënë në pritje, deri më 2020-n.
Siç edhe pritej, Franca duket se po u vë fre shpresave të të dy vendeve kandidate për çeljen e negociatave në tetor të këtij viti. Me rolin e fituar tashmë si festëprishësi për aspirantët e integrimit në familjen e BE-së dhe kundër zgjerimit, të paktën derisa unioni të jetë reformuar së brendshmi, presidenti Macron është shprehur kundër nisjes së procesit të bisedimit për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kështu u ka bërë të ditur Franca vendimi ne saj vendeve të tjera të BE-së, sipas raportimeve të agjencisë “Reuters”.
Megjithëse është dakord me kushtet e vendosura nga Gjermania për Shqipërinë, duket se ka më shumë rezerva rreth problemeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe u kërkon të dy vendeve përpjekje të tjera shtesë.
Ndonëse parashikohej se kushtet mund të vinin duke u shtuar deri në samitin e vendeve të BE-së më 17 dhe 18 tetor, në Bruksel, siç do të thoshte edhe kryeministri Rama në një prej deklaratave të tij pak ditë më parë, duket se Franca ua ka mbyllur dyert të dyja vendeve për këtë vit.
Arsyet nga Parisi ndahen mes vizionit të presidentit Macron për BE-në dhe sfidave të mëdha që BE po përballet, sa nuk mundet të përballojë edhe dy shtete më shumë nga Ballkani – që për më tepër kanë probleme me krimin dhe korrupsionin -, por edhe rrugës që kanë ende për të bërë vendet për të qenë gati për të hyrë në union.
Franca thotë se BE ka nevojë të reformohet nga brenda për t’i përballuar me energji dhe unitet sfida të tilla si ndryshimi klimaterik dhe emigracioni dhe dy kandidatët duhet t’i çojnë përpara reformat përpara se të miratohet hapja e bisedimeve. Sipas një zyrtari francez, i cili është shprehur për Reuters, të dyja vendet nuk janë ku duhet dhe se po u kërkohet të bëjnë përpjekje shtesë. Nga Franca përgjigja është e qartë dhe e prerë. Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019 dhe rishqyrtimi i situatës mund të vijë , diku nga viti 2020.
Ky qëndrim vjen pas atij të Holandës që u shpreh se çelja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme, siç do të deklaronte ministri i Jashtëm Blok, por edhe tre mocioneve të rrëzuara dje në Parlament, që e rekomandonin qeverinë holandeze të votonte kundër hapjes së bisedimeve me të dy vendet dhe dy të tjerat ishin propozime që me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mos hapeshin kurrë negociatat, qëndrim ky i partive ekstremiste.
Qëndrimi i dy shteteve, Holandës dhe Francës është i ndryshëm nga ai i Bundestagut gjerman, që votuan “pro” çeljes së negociatave me dy vendet, ndërsa Maqedonisë së Veriut nuk i vuri kushte të tjera, ndërsa data për konferencën e parë të anëtarësimit flitej të ishte në janar të vitit që vjen. Para qëndrimeve të ditëve të fundit, Holanda kishte kërkuar trajtimin e ndarë të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe në shtator kësaj të fundit iu dha dritë jeshile nga parlamenti holandez, ndërsa ekspertë të integrimit thoshin se edhe Franca kishte qëndrim më të zbutur ndaj fqinjëve të Shqipërisë. Kryeministri Rama për këtë qëndrim të parlamentit holandez do të fajësonte opozitën jashtëparlamentare që bojktoi zgjedhjet.
“Ka një ndryshim të madh, që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, flas për opozitën që nuk është në Parlament dhe që e braktisi, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet me qëllimin për të minuar çeljen e negociatave”, do të shprehej nga Kuvendi dy ditë më parë kryeministri.
Ministri i jashtëm holandez. Stef Blok do të thoshte të martën se Shkupi ka nevojë të kalojë ligjin për të vendosur një organizëm të pavarur, të prokurorisë publike. “Për Holandën duhet të përmbushet kjo, në mënyrë që të hapen bisedimet”, ka thënë ai.
Për Francën, para se negociatat të çelen, të dy vendet duhet të plotësojnë kushtet përkatëse. Shqipëria të zbatojë Reformën në Drejtësi, e cila ka hyrë në vitin e saj të tretë dhe Reformën Zgjedhore, kusht i vendosur edhe nga parlamenti gjerman. Maqedonisë së Veriut, Parisi i kërkon progres me çështjen e Prokurorisë Speciale, ku kryeprokurorja u përfshi së fundi në skandalin “Zhvatja” dhe që aktualisht është në burg.
Duke mos e fshehur zhgënjimin e ditëve të fundit ndaj përgjigjes që pritet të vijë nga Këshilli Europian, kryeministri Rama do të theksonte edhe në takimin e Novi Sadit, me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e krijimit të një mini-Shengeni ballkanik, se BE nuk e kishte rajonin prioritet.
“Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së. Prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, do të shprehej Rama, por duke theksuar se nuk ka ndryshim të agjendës me partnerët ndërkombëtarë, ka vetëm mes vendeve të rajonit, pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama do të thoshte se me kriteret e vendosura për anëtarësim, nuk do të hynin as anëtaret më të vjetra të BE-së dhe sipas tij, vizionin e Macron për unionin nuk mund ta ndryshonin reformat e kryera në vend dhe se shumë nga vendet e përdornin Shqipërinë si “delen e zezë” për interesat e politikës së brendshme. Sipas kreut të qeverisë, Holanda nuk ishte më rigoroze sesa vende të tjera në plotësimin e kushteve nga Shqipëria.
Burimet e Reuters, thonë se Holanda dhe Danimarka kanë kundërshtar qartë hyrjen e Shqipërisë, kur ambasadorët e BE e diskutuan çështjen me dyer të mbyllura të enjten, megjithëse holandezët kanë sinjalizuar fleksibilitet potencial për Maqedoninë e Veriut. Ndarjen e dy vendeve, kryeministri Rama e shihte si të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit dhe të padrejtë, gjithashtu dhe pas “po”-së gjermane do të pranonte se Bundestagu dhe konservatorët skeptikë votuan pro çeljes së bisedimeve me Shqipërinë pasi kancelarja Merkel vuri veton për të mos i ndarë dy kandidatet më 18 tetor.
Por që bisedimet të çelen zyrtarisht, megjithë lobimin e kancelares Merkel dhe interesin që ajo ka treguar mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të duhet unanimiteti i të 28 vendeve anëtare.
Ministrat e BE-së do të diskutojnë sërish çështjen në Luksemburg, të martën, përpara se liderët e shteteve të takohen në Bruksel për samitin e 17 dhe 18 tetorit.
Në këtë takim, Holanda nuk do të përfaqësohet në rang ministri, por nga ambasadori i saj në BE, i cili nuk ka asnjë mandat për të negociuar nëse vendet e tjera të BE do të kërkojnë një zbutje të qëndrimit.
Në fjalën e mbajtur në Ministerialin Rajonal të Drejtësisë, pak ditë më parë, kryeministri Rama thoshte se Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për BE-në.
“Nuk është shkencë kjo që duhet ta kuptosh, as nuk ke nevojë të jesh historian e as magjistar ta kuptosh sepse është e dukshme, është e qartë dhe kur mendon se çfarë po kërkojmë ne, po kërkojmë më shumë para? Jo. Mos po kërkojmë që të kemi të drejtën e votës në BE? Jo. Mos po kërkojmë që ta bezdisim Brukselin dhe të kemi të drejtën e votës në Këshill? Jo.”, shprehej kryeministri, që shihte recetën për kurën e problematikave të vendeve të rajonit për të ndërtuar institucionet.
Kryeministri madje do të shihte se Shqipëria ishte përpara vendeve të rajonit me Reformën në Drejtësi dhe se sipas tij pastrimi i sistemit të drejtësisë do t’u kërkohej shpejt edhe Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
“Ne jemi të ndarë nga një kufi, i cili gjendet gjithandej rreth nesh dhe jam i sigurt që 99% e eurodeputetëve në parlamentet kombëtare nuk mendojnë që Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufijtë e BE-së”, do të thoshte Rama, ndërsa në BE paralajmërohet rreziku se me lënien në pritje të kandidateve ballkanike, mund të shohë Rusinë, Kinën ose Turqinë të përfitojnë nga “vakumi strategjik” në rajon.
Ndërsa në Perëndim diskutohet fati i kandidatëve, në Ballkan liderët u takuan në Serbi me ftesë të presidentit Vuçiç për të hequr barrierat mes njëri-tjetrit dhe për të vijuar me agjendat e bashkëpunimit. Në Ballkan veç Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që presin çeljen e negociatave, BE ka lënë pezull edhe fatet e Serbisë e cila i ka hapur disa kapituj e po ashtu edhe me Malin e Zi, ndërsa Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave.
Franca, nga ana tjetër ka propozuar rishikim edhe të procesit të anëtarësimit. Sipas saj negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet. Qeveria franceze ka një vlerësim më të nuancuar dhe më pak optimist se Komisioni Europian për zgjerimin. Qëndrimi i qeverisë franceze bën të kuptohet, se vlerësimi i Komisionit Europian është tepër mekanik, teknokrat dhe ndarja e kornizës negociuese në 35 kapituj nuk ka dhënë frytet e pritshme.
Sipas propozimit të Francës, brenda pranverës së vitit të ardhshëm, Komisioni Europian duhet të hartojë strategjinë e re për procesin e zgjerimit. Ndoshta atëherë, porta e BE-së mund të hapet sërish për kandidatet, por në një proces edhe më gradual që do të thotë edhe më gjatë, ku deri tani u ka marrë anëtarëve që u janë bashkuar së fundi dhjetëra vite rrugë deri në hyrjen brenda bashkësisë europiane.
Metin Hakverdi: Po-ja e parlamentit gjerman ia lehtëson vendimin vendeve të tjera
Dy deputetë socialdemokratë gjermanë, Metin Hakverdi dhe Christian Petry vizitojnë Maqedoninë dhe Shqipërinë, pas vendimit të marrë nga parlamenti gjerman për hapjen e negociatave. Më 15 tetor mblidhet Këshilli i BE.
Deutsche Welle: Çfarë ndikimi do të ketë vendimi i parlamentit gjerman, Bundestag, mbi vendet e tjera si Holanda dhe Franca për procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut?
Metin Hakverdi: Nëse kemi parasysh çfarë ndodhi në muajin qershor, gjë që unë po e përshkruaj me fjalët e mia, duke thënë se këto dy vende, por edhe vende të tjera u fshehën mbas faktit që Gjermania nuk arriti të merrte vendim. Prandaj atyre kjo iu erdhi për mbarë duke mos dashur të merrnin vendim, meqenëse Gjermania nuk vendosi. Prandaj tani vendimi i marrë nga Bundestagu është shumë i rëndësishëm, sepse jep sinjalin që të gjithë duhet të tregojnë qëndrimin që kanë ndaj kësaj çështjeje, duke mos qenë në gjendje ta shtyjnë ende. Të paktën duke mos e shtyrë dot me të njëjtin arsyetim, si më parë. Po ashtu është shumë e rëndësishme, sepse siç e dini ne, socialdemokratët jemi në pushtet në koalicion me kristiandemokratët, dhe ne e morëm vendimin në kundërshtim me kristiandemokratët. Dhe ishim në gjendje të çonim deri në fund idenë tonë. Por edhe kristiandemokratët dhanë në fund fare nënshkrimin e tyre. Dhe nënshkrimi i dhënë nga konservatorët në Gjermani, bën që edhe fraksione të njëjta në vendet anëtare të BE, ta kenë më të lehtë që të japin aprovimin e tyre. Fakti që për Shqipërinë u prezantua tani një katalog me kushte që duhen plotësuar, me kushte edhe të reja, nuk ka të bëjë me ne. Ka të bëjë me vendimin që mori Unioni Kristiandemokrat Kristiansocial. Por kjo mund të jetë në favor, sepse mund lehtësojë vendet e tjera që të marrin vendim pozitiv.
Deutsche Welle: Hollanda i tha dje “Jo” Shqipërisë. Çfarë ndryshimesh sjell kjo?
Metin Hakverdi: Unë nuk mendoj se ishte “Jo”. Dje në Hagë u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues i përgatitur më parë. Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre. Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze. Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po me kushte”.
Deutsche Welle: Kundër vendimit të parlamentit?
Metin Hakverdi: Me sa di unë Kushtetuta në Hollandë është e njëjtë si në Gjermani. Vendimi i Parlamentit nuk është i detyrueshëm për qeverinë. Por, pyetja është a do ia lejojë vetes qeveria që të marrë vendim të ndryshëm nga ai i parlamentit. Në fakt, kjo është një gjë e vështirë. Nga pikëpamja juridike mundësia ekziston. Këtu tek ju në rajon njerëzit kujtojnë se Holanda ka marrë vendim. Kjo nuk është e vërtetë. Holanda nuk ka marrë ende vendim, dhe vendimi që ka marrë nuk është absolut.
Negociatat/ Rrëzohen amendamentet e ekstremistëve në parlamentin e Holandës
Tre mocionet e ngritura dje në parlamentin holandez nga e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme janë rrëzuar.
Mocionet ishin:
T’i themi jo hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë raund.
Mos pranojmë asnjëherë, të hapen negociatat me Shqipërinë
Mos pranojmë asnjëherë të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut.
Mocioni i parë ka marrë disi mbështetje, por jo shumicë. Ndërsa dy mocionet e tjera mbështetja ka qenë thuajse zero.
Qëndrimi qeverisë holandeze nuk do ndryshojë nga çfarë deklaruan para disa ditësh.
Paraditen e të enjtes në parlamentin holandez, tre deputetë depozituan 3 mocione bllokuese për çeljen e negociatave BE- Shqipëri. Mocionet i kërkonin qeverisë të votonte kundër në mbledhjen e 17-18 Tetorit madje edhe kundër çeljes me kushte siç propozon Gjermania.
Megjithatë ka ende shpresë që qeveria e Holandës në mbledhjen e këshillit të ministrave të BE të mbajë një qëndrim më të moderuar nga ai i parlamentit. Holanda nuk do të vendosë veto nëse Gjermania dhe Franca do të thonë po.
Maj
Komisioni Europian jep rekomandim pozitiv për dy vendet kandidate dhe çeljen e negociatave pa kushte.
Qershor
Vendimi që pritej të jepej nga Këshilli Europian u shty në tetor, për shkak të zgjedhjeve për parlamentin europian
Shtator
Gjermania voton “pro” çeljes së negociatave me dy vendet ballkanike, ndërsa Shqipërisë i vendos 9 kushte. /Gazeta Liberale