“Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë:
Ndigjo, more djalë,- më tha,- un e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: shka del jashtë mase asht budallallek. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t'keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë... Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t'kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t'desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue... Kush të teprojë le të kallxojë! ...”
Ky verset i mbajtur mend nga Át Zef Pllumi u bë titulli i librit që mbetet dëshmia më tronditëse e terrorit komunist shqiptar, nga një i mbijetuar “i shënjuar” për ta treguar.
Tek, Pak fjalë për lexuesin rreth kujtimeve të patër Zef Pllumit, Këshilli drejtues i Botimeve Françeskane, shkruan, ndër të tjera, "Në Rrno për me tregue gjindet historia e jonë. Histori e dhimbshme mashtrimi, rrenash, vuajtjesh, lodhjeje, torturash, internimesh, vorfnie e vrasjesh. Fëmijë të pafajshëm që desin nëpër kampe, familje që shkatrrohen, punët e randa nëpër kneta, biruca të vogla burgu në të cilat shtiheshin njerzit tue jetue në nji gjendje ma të keqe e të mjerueshme se sa kafshët, uri e madhe, kampe të panumërta dhe burgje të tmerrshme që i ngjasonin atyne të ndërtueme prej nazistëve, e të tjera episode si këto ngjallin në shpirtin e kexuesit pvetje të shumta. Pse u veprue kështu me këtë popull? Komunistat na premtuen lirinë por në vend të saj sollën vuajtje , mjerim e robni dhe vepra e P.Zef Pllumit asht dëshmi e këtij mashtrimi"(I , fq.4-5).
“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.” – thotë shkrimtari Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.
Një nga rrëfimet më komplekse mbi diktaturën dhe komunizmin, vepra “Rrno për me tregue” a At.Zef Pllumit shenjon një vepër monumentale në letërsinë shqipe të kujtesës.
Studiuesi Sabri Hamiti vlerëson se vepra e At Zef Pllumit frymëzon për lexime të reja, të përsëritura dhe si e tillë ajo do duhej, për shkak të vlerave shumëdimensionale, të zinte vend në bibliotekat tona, në tekstet shkollore e universitare. At Zef Pllumi iu kundërvihet harresës me kujtesën...Kjo kujtesë, sipas vlerësimit të Hamitit, u bë mbrojtje për të ruajtur paprishjen e vet shpirtërore në të gjitha sprovat. Në këtë mënyrë autori rrëfimtar, At Zef Pllumi, përnes veprës në fjalë ka arritur ta ridimensionojë kujtesën, ta institucionalizojë tolerancën e besimin, ushtrimin shpirtëror të individit, ngritjen e paraqitjen e kujtesës kulturore të shkëputur përdhunshëm...
Në parathënien e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, studiuesi Aurel Plasari shkruan:
E shkuara e depozituar fle kështu brenda fratit të kujtimeve si një e fshehtë që dikur
zgjohet, shndërrohet dhe rritet njëherësh, e qëndrueshme në vetvete, paralele dhe
submergjente me jetën e tij të përditshme. Dhe, ndërsa ai shkruan kujtime, ajo zbulohet, ashtu
si eshtrat dhe si rropullitë që na zbulohen aq të afërta dhe njëkohësisht aq të huaja për ne vetë,
që i ushqejmë dhe na ushqejnë. Sepse kujtimet nuk qenkëshin thjesht fakte jetësore. Vepra
“Rrno vetëm për me tregue”, Libri i kujtimeve i at Zef Pllumit të bën të mendohesh se sa e
vështirë është të vlerësosh përmbajtjen historike të një gjysmëshekulli shqiptar nëpërmjet një
kulture gjuhësore të njëjtësuar me kulturën e besimit shpirtëror. Pohoj shkrirjen e këtyre
kulturave fetare, shoqërore dhe gjuhësore, sepse vepra është mishërimi i portretit “njeri” të
shndërruar në “kafshë pune”.
Vetë At Zef Pllumi në “Librin e kujtimeve” (Pjesa e parë) 1944 - 1951 le të shkruar këtë amanet:
“Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifle të njaj propagande politike,
por përshkrime të zbehta të atij realiteti t'idhun historik që u zhvillue në Shqipní për gati 50
vjet. Vendi im nuk asht në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen
fatet e qytetnimit prendimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue,
prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsí ju këshillon që
të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato...
Pse? ”
“Saga e Fmijnisë”, dorëshkrimi i fundit që na la At Zef Pllumi
Nuk donte ta botonte sa ishte gjallë, madje nuk mbërriti ta përfundonte atë dorëshkrim… Në një fletore me kuadrata, me kapakë të kaltër, me kaligrafi të qartë e të bukur, gjenden shënimet e fundit që At Zef Pllumi la para se të ikte nga kjo jetë. Është një dorëshkrim i rrallë, që ai e ka quajtur “Saga e fmijnisë - Unë që jetova shumë shekuj…” Ja çfarë shkruan në hyrje të këtij dorëshkrimi: “Lexuesi e kupton mirë se un nuk jetova as nji shekull të vetëm. Vendi në të cilin linda, ngjarjet që jetova, rrethanat e ndryshme të globit toksor e të jetes sime, më suellën at fat ose at fatkeqsi – thuej ti si të duesh – që un të jetojshëm realisht si epokën e gurit, ashtu qytetnimet parakristjane, kohët klasike, epokën Mesjetare e, po, shekullin e njizetë. Por nuk jam i knaqun nga të gjitha kto. Un kam aspirue gjithmon nji epokë tjetër t’ardhme për krejt njerzimin. Do të vijë ndonjiherë ajo? Un besoj”. Dorëshkrimi për të cilin fare pak njerëz ishin në dijeni, u përgatit për botim nga studiuesja dha mikja e padër Zefit, Ledi Shamku Shkreli, e cila ndër të tjera veçon:
“ Është dorëshkrimi i mbramë që trashëgojmë prej At Zef Pllumit, dhe pikërisht se i tillë, ndoshta na mundëson më fort të kuptojmë thelbin e përbashkët të gjithë korpusit letrar të tij. Them korpusit, pasi padër Zefi shkroi njimend shumë brenda një kohe relativisht të shkurtë, madje shpesh qeshej duke thënë: “A din çfarë, padër? Nji shkrimtar thuejse e ka mbyllë karrierën e vet n’moshën gjashtëdhetepesë vjeç, e un e hapa nj’atëherë”. Ndonëse në vështrim të parë ky libër ngjan si një tregim thjesht autobiografik, në të vërtetë padër Zefi nuk e sjell veten aspak si personazhin kryesor të këtyre fletëve. Vendi që i ka caktuar vetes në këto radhë është pakashumë si vendi që ka rapsodi teksa, i ulur përballë nesh, na kallëzon gojëdhana e ndodhì të motmotit. Njëlloj si lahutari, edhe padër Zefi zgjedh të shërbejë si shtegu që e mundëson historinë të vërshojë mes nesh, ashtu siç veproi edhe tek “Rrno për me tregue” apo “Françeskanët e mëdhaj”. Pa të tillë ndërmjetësa do ishim vërtet të vorfën në vetëdijen tonë kombëtare, pasi mes nesh dhe kësaj vetëdije janë ndërkallë vijimisht shumë ndeshtrasha, të cilat na i kanë shprishë kodet e brendshme të komunikimit. Flasim në thelb të njëjtën gjuhë me të parët tanë, ndoshta dhe të njejtat fjalë, por nuk mbërrijmë dot të kuptohemi; atëherë ndërmjetësì të tilla, sikundër janë shkrimet e padër Zefit, na ndihmojnë ta rekuperojmë përmasën trashendentale të vetëdijes sonë e të arnojmë sa mundemi atë që Pashko Gjeçi e pat quajtur “pëlhura e pamort”, e cila nuk është gjë tjetër përveçse thurja e së tashmes me të shkuarën. E që përbën atë truall të lëvizshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë të nesërmen tonë….” /Gazeta Liberale