Intervistë e marrë nga Roland Qafoku, publikuar në librin “50 pyetje për 50 personazhe”, UET PRESS, 2021
50 pyetje për Kastriot Myftarajn, “Atë që Skënderbeu e bëri me shpatë, unë dua ta bëj me penë”
Në fillim emri i tij lakohej në qarqe gazetarseke me pyetjen “ore kush është ky Kastriot Myftaraj”. Dalëngadalë jo vetëm kjo pyetje jo vetëm nuk bëhet më, por ai është shumë i njohur për kritikat e tij ndaj politikanëve, qeveritarëve dhe fenomeneve që nëse i vë ai në dorë, patjetër që kërshëria të bën ti lexosh. Por jo vetëm kaq. Sa e sa shkrime që kanë dalë nga dora dhe mendja e Kastriot Muftaraj janë shoqëruar me polemika dhe debate. Një cilësi që ai e pëlqen më shumë se sa kur e lavdërojnë.
Pse e rëndëishsme është për të që në zanatin e opinionbërësit të kritikojë dhe jo të lavdërojë. Ashtu si edhe në shkrimet e tij, edhe kur jep një intervistë të lë me gojë hapur me argumentin dhe faktet që sjell. Të njëjtën gjë bën në rubrikën e shtunës “50 pyetje nga Tirana Observer”. Thotë se do të arrijë të jetojë kohën kur të bashkohen trojet shqiptare. Thotë se Janina dhe gjithë Çamëria do jenë pjesë e shtetin shqiptar. Thotë se dita e çlirimit nuk duhet të jetë as 28 e as 29 nëntror por 17.
Thotë se ka idhull Faik Konicën. Thotë se Enver Hoxha i fitoi paratë e para si aktor komik. Thotë se nuk voton. E shumë të tjera si këto. Por edhe një frazë që çdokush që e dëgjon do ti mbetet në mendje: Dua që atë që Skënderbeu e bëri me shpatë, unë ta bëjë me penë.
- Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Tani që po e mendoj, mund të them se kujtimi më i hershëm i fëmijërisë sime, sigurisht që më ka impresionuar vecanërisht, janë kinezët. Unë kam lindur në vitin 1966 dhe jam rritur gjatë viteve të miqësisë me Kinën. Atëherë kishte shumë kinezë në Shqipëri. Gjyshja ime thoshte se vinë nga Cinmacini, një vend ky që dilte dhe në përrallat që dëgjoja unë. Sa herë që unë bëja ndonjë gabim, gjyshja më trembte me cinmacinët. Pastaj kinezët u shpallën armiq dhe kjo mua sigurisht që më bëri komoditet.
- Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ta mësoi?
Gjëja e parë që kam mësuar në jetë, sigurisht ajo që mbaj mend, si vecanërisht impresionuese, dhe që e kam mësuar nga babai, është se që të ecësh para në jetë duhet të kesh mbështetje nga njerëz me influencë, gjë që ne nuk e kishim. Nëse doje të arrije diçka, jeta do të ishte si udhëtim në xhungël dhe ky udhëtim për mua ende vazhdon.
- Kush ka ndikuar më shumë kur ishe fëmijë?
Përgjigjia standarde e fëmijëve është babai ose nëna. Por unë nuk do të tregohem i sinqertë nëse do të them kështu. Ata të dy qenë njerëz me ambicie modeste, ose nëse kishin patur ambicie, qenë pajtuar me sakrifikimin e tyre për hir të një statusi afër mesatares në shoqëri si mësues. Tani që e mendoj më duket se tek unë ka qenë një tjetër Kastriot që më nxiste vazhdimisht të bëja këtë gjë dhe të mos bëja atë gjë. Shpesh prindërit donin të më frenonin se u dukej që unë lodhesha tepër duke lexuar libra që atyre u dukeshin shumë përtej moshës sime. Por nuk ia arrinin.
- Cila ka qenë këshilla më e mirë e nënës apo babait tuaj?
Që të mos lexoja shtrirë. E ndjek edhe sot.
- Kush ju ka nxitur më shumë në jetë?
Refuzimi i fatalitetit. Unë kur u rrita e kuptova se jetoja në një botë të nomenklaturës. Nomenklaturë do të thotë listë emrash. Nëse emri im nuk ishte në nomenklaturë për të ecur para në jetë, atëherë unë nuk do të ecja, çfarëdo që të bëja. Edhe pas vitit 1990, ekziston një nomenklaturë e një lloji tjetër, por ama ekziston. Ekziston dhe në media si dhe në botimet e librave, në atë se kush do të jetë opinionbërës. Unë, kam kënaqësinë ta them, erdha nga jashtë nomenklaturës dhe iu imponova asaj, duke prishur skemat e saj, nga jashtë saj. Kjo betejë vazhdon ende.
- Çfarë nuk ke mësuar në shkollë?
Relativisht nuk kam mësuar lëndët e bujqësisë dhe të Diturisë së makinave në shkollën e mesme të përgjithshme. Shkolla e mesme qe vërtet e përgjithshme, por jo aq sa të mësohej dhe bujqësia. Dituria e makinave qe një paranojë më vete, se atje mësonim makinat mbjellëse dhe kombajnat. E gjithë kjo bëhej në dëm të lëndëve të tjera, vërtet të nevojshme.
- Çfarë të është dashur të mësoje vetë?
Praktikisht gjërat më të mira që di.
- Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë?
Një herë në pushimet verore të shkollës së mesme, së bashku me një shok hymë në një punë sezonale në në ndërmarrjen bujqësore pranë qytetit ku banonim, Korçës, për të fituar paratë që na duheshin për një punë që do ta sqaroj në një pyetje të mëposhtme.
- Kur vendose ti hyje karrierës dhe çdo të bëje në mungesë të saj?
Unë nuk mendoj se i kam hyrë ndonjë karriere dhe nuk do t’i hyj kurrë. Fjala “karrierë” nënkupton një post, gjë që unë nuk do ta marr kurrë.
- Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë?
Libra të cilët prindrit mendonin se qenë të rënë për moshën time, veçanërisht libra me dokumente historike. Historia më ka tërhequr gjithmonë.
- Çfarë makine ke pasur për herë të parë, e bleve vetë?
Unë nuk kam pasur kurrë një makinë personale, më pëlqen të ecë dhe kur kam nevojë përdor makinat e miqve të mi, shërbimin e të cilëve shpesh më duhet ta refuzoj se ata nuk e kuptojnë dot dëshirën time për të ecur.
- Cila është ajo gjë në qënien tënde që ju ndjeheni krenar?
Që nuk kam pranuar kurrë të bëhem propagandues i ideve që kanë fabrikuar të tjerët.
- Cila është arritja më e madhe në jetën tuaj?
Që duke ardhur nga jashtë “nomenklaturës” së medias jam bërë, në një masë ose në një tjetër, një opinionbërës.
- Përse shumë nga shkrimet tuaja janë me sens kritik?
Në fakt të gjitha janë në sens kritik. Unë mendoj se kur nuk paguhesh për të lavdëruar, nuk ia vlen të shkruash përveçse kur ke për të bërë kritika.
- Çfarë është për ju gazeta “Sot” dhe ç’ndodh me të, në numrin kur ju keni shkrim?
Për momentin jam shkëputur nga gazeta se më është dashur që të punoj për dy libra që i kam botuar kohët e fundit. Më mungon gazeta.
- Cili është shkrimi për të cilin ju keni marrë më shumë vlerësime dhe cili është shkrimi që keni marrë më shumë kritika?
Unë nga njerëzit dëgjoj me dëshirë vetëm kritikat për shkrimet e mia. Atë që më lavdëron shkrimet e dëgjoj për mirësjellje dhe ndahem prej tij sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa atë që më kritikon shkrimet, kur shikoj se kritika është serioze, e ftoj për kafe dhe e dëgjoj me vëmendje.
- Cili është personazhi më i dashur në historinë e Shqipërisë që ju dëshironi ti ngjani?
Skënderbeu sigurisht. Nëse do të perifrazoja thënien e famshme të Balzakut për Napoleonin, do të thosha se dua të bëj me penë, atë që bëri ai me shpatë.
- Cili është idhulli juaj në median e huaj dhe shqiptare?
Në median e huaj nuk kam idhull. Në median shqiptare, njeriu më pranë imazhit të idhullit është Faik Konica.
- A i jeni mirënjohës dikujt në jetën tuaj?
Nëse nuk do të shprehesha në klishe sentimentale, duke nënkuptuar se kujt i jam mirënjohës së pari, do të thosha se u jam mirënjohës atyre që i propagandojnë shkrimet dhe librat e mia tek të tjerët. I konsideroj të gjithë si bashkëpunëtorët e mi, pavarësisht nëse i njoh apo jo.
- Cili është fakti historik më skandaloz në historinë e Shpërisë që duhet të ndryshohte sa më shpejt?
Sigurisht që 29 nëntori, si dita e çlirimit të atdheut. Këtu nuk e kam fjalën që të bëhet 28 nëntori, siç thotë PD. Secila nga dy datat e barazon atdheun me shtetin, kur dihet se ata nuk janë e njëjta gjë. Atdheu shqiptar është atje ku ka troje shqiptare, ndërsa shteti shqiptar është atje ku na i kanë vënë kufijtë të huajt. Lufta antifashiste shqiptare nuk ka nevojë të cënojë konceptin e atdheut për t’ u përkujtuar, në rast se kjo luftë ishte vërtet nacional-clirimtare. Nëse ekziston vullneti për kompromis, mund të gjendet një datë tjetër, p.sh. çlirimi i Tiranës. Nëse insistohet për 29 nëntorin, atëherë kjo provon përfundimisht akuzën historike të shitjes së trojeve shqiptare tej kufirit të 1913 tek sllavët.
- Pak ditë më parë ju promovuat librin “Jeta e fshehtë e Enver Hoxhës”. Cili është fakti më i rëndësishëm për ju që keni zbuluar për jetën e diktatorit Hoxha?
Që Enver Hoxha i ka fituar paratë e para në jetë si aktor komik, ky është një zbulim që ia vlen të veçohet, por ka dhe të tjerë.
- A duhet ndarë interesi për figurën e Enver Hoxhës mes atyre që kërkojnë ta njohin siç ka qenë dhe atyre që duan ta nxjerrin vetëm pozitiv?
Të dy palët duhet të sjellin argumente në një debat serioz. Unë në libër shqyrtoj argumentet e të dy palëve.
- Me cilën anë renditeni në debatin për gjuhën letrare dhe asaj dialektore? A jeni dakord me ata që i bëjnë kritika gjuhës sonë standarte?
Le të flasim hapur. Termi “gjuhë letrare” është një eufemizëm, se të gjithë e dimë që ajo është toskërisht dhe nga gegërishtja ka marrë vetëm minimumin e nevojshëm të gjërave që nuk i kishte, ose që i kishte të shëmtuara. Kështu, në “gjuhën letrare” thuhet “mësues”, çka vjen nga gegërishtja “me mësue”. Por në “gjuhën letrare” paskajorja është “për të mësuar”. Atëherë, fjala “mësues” duhet të ishte “mësuars”, çka nuk është bërë se tingëllon shëmtuar, ose paskajorja duhet të ishte “me mësue”. Nëse gjuha standarde do të kishte marrë paskajoren e gegërishtes, atëherë do të shmangeshin shumë anomali në zgjedhimin e foljeve, përveçse do të fitonte sens fjalëformimi. Prof. Shaban Demiraj, në 3-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit tha se nuk ka problem që shqipja standarde nuk e ka paskajoren, derisa atë nuk e kanë as gjuhët ballkanike, pra gjuhët sllave dhe greqishtja. Ky është një argument i llojit të “29 nëntorit”. Unë mendoj se çështja e gjuhës standarde duhet rihapur dhe në një kongres të ri gjuhësor të përcaktohet një gjuhë standarde vërtet sipas kritereve shkencore ku të ketë një balancim mes dy dialekteve, çka do ta bëjë standardin më funksional. Gjithashtu fjalët sllavishte dhe ato greke (që nuk janë ndërkombëtare) të standardit, duhet të zëvendësohen me ekuivalentin anglisht, si gjuha së cilës duhet t’i referohet shqipja sot. Shpesh gjuhëtarët na qortojnë ne gazetarët se përdorim fjalë të huaja, kur ne zëvendësojmë një fjalë sllavisht të gjuhës standarde me një fjalë anglisht.
- Sipas jush, kosovarët duhet të bëjnë çmos të familjarizohen me shqipen tonë standarde apo duhet të standardizojnë dialektin e tyre të veçantë?
Para se problemi të jetë i shqiptarëve të Kosovës, është i gjysmës së popullsisë së Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë si gjuhë amtare gegërishten, në dy nëndialektet e saj të mëdha, atë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Fakti është se ata nuk “asimiluan”. Prandaj, para se të diskutojmë për aspektin kosovar të problemit, le të merremi me atë këtej kufirit. Kohë më parë kam lexuar një shkrim në gazetën “Zëri i Popullit” ku Neshat Tozaj e qortonte Koço Kokëdhimën se ky përdorte gegnizma në të folmen e tij. E kam arkivuar atë shkrim. Tozaj thoshte se kjo ingjante e panatyrshme. Por a nuk ngjan e panatyrshme kur një geg flet toskërisht. Kjo panatyrshëmri do të zbutej nëse gjuha standarde do të hapej më tepër ndaj gegërishtes. Pse shqiptari tosk Kokëdhima i duhet mohuar e drejta të shprehet në paskajoren gege, e cila i mungon toskërishtes krejt dhe gegëve u mohohet e drejta të shprehen në paskajoren e tyre, që është pasuri e shqipes?
- E majta apo e djathta e kontrollon massmedian në Shqipëri?
Mediat më të fuqishme në vend sot janë kritike ndaj qeverisë dhe kjo është gjë e mirë, por unë shpresoj që kështu të ndodhë dhe kur opozita e sotme të vijë në pushtet.
- Si e parashikoni ju zgjidhjen e çështjes çame?
Fare thjesht: Nuk do të kalojë shumë kohë dhe Greqia do të reduktohet në kufijtë e saj natyralë, si rezultat i luftës së radhës ballkanike, ku Greqia do të ndeshet me armiqtë e saj historikë Turqinë dhe Bullgarinë. Turqia do të marrë pjesën më të madhe të ishujve të Egjeut, Bullgaria do të marrë Greqinë verilindore bashkë me Selanikun, që janë Maqedonia jugore historike sllave (në ndërkohë Maqedonia shtetërore lindore do të jetë bashkuar me Bullgarinë, Shqipëria do të marrë Çamërinë dhe më tepër se aq. Greqia do të paguajë çmimin për atë që sot është bërë bastioni i Rusisë në Mesdhe, duke u integruar në atë që quhet gjeopolitika ruse e naftës dhe gazit.
- Me kë renditeni ju me ata që thonë se Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri ishte luftë nacionalçlirimtare apo me ata që thonë se ishte luftë civile?
Ishte luftë civile dhe prova më e pakundërshtueshme për këtë është se filloi si luftë civile brenda lëvizjes komuniste, që në 1941, mes stalinistëve dhe trockistëve. Sadik Premte, Anastas Lulo, Zai Fundo qenë antifashiste dhe faji i tyre i vetëm qe se nuk ishin stalinistë. Si mund të besohet se komunistët të cilët shkuan në Konferencën e Pezës e kishin seriozisht parullën për luftë pa dallim feje krahine dhe ideje, kur ata në ndërkohë kishin filluar një luftë brenda lëvizjes komuniste, për dallime ideore? Si mund të toleronin komunistët e PKSH të djathtët, kur nuk toleronin dot komunistët e moderuar si Zai Fundo? E ashtuquajtura lufta nacional-çlirimtare ishte një puç në pushtim, një puç komunist, brenda pushtimit fashist.
- Nëse do të ishte në dorën tuaj në cilën periudhë historike do të donit të jetonit?
Në periudhën kur trojet shqiptare do të bashkohen në një shtet të vetëm dhe shpresoj shumë se do ta jetoj.
- Cili është personazhi më i rëndësishëm me të cilin keni bërë një fotografi?
Tani që po e mendoj, nuk kam asnjë fotografi të tillë.
- Vendosni një notë nga 1 deri në 10 këtyre politikanëve: Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha, Bamir Topi, Alfred Moisiu!
A lejohet me presje dhjetore, se do të doja t’ ua vija mes 0, 1 dhe 1? Nejse, si makiavelistë, Nano, Berisha, Rama meritojnë 10, Ilir Meta meriton 1. Topi dhe Moisiun janë jashtë loje.
- Çfarë ishte largimi i Zogut më 7 prill 1939 tradhëti apo një larg i detyruar nga rrethanat?
Ishte një tradhti sigurisht. Ai shkeli betimin që kishte bërë. Le të mendojmë për një moment se do të bënte një luftë simbolike (Shqipëria nuk mund të bënte më tepër në rrethanat kur një ushtri e madhe sulmonte frontalisht) dhe do të binte rob tek italianët. Çfarë do t’ i ndodhte? Sigurisht që nuk do ta vrisnin, por do ta internonin në ndonjë ishull në Itali, nga ku do të kthehej pas lufte. Tekefundit do të shpëtonte imazhin. Por Zogu nuk e pengoi luftën me gjë tjetër veç largimit të tij. Zogu nuk e pengoi Enver Hoxhën që të dilte në mal që në prill 1939, “me pushkë me gjalmë”. Askënd tjetër që donte të luftonte nuk e pengoi.
- Kush ishte sipas jush heroi, punëtori i sigurimit që arrestoi dhe vrau diversantët apo diversanti që kërkoi të rrëzonte sistemin komunist në Shqipëri?
Sikur sot befasisht të vendoset një diktaturë komuniste në Shqipëri, kush do të jetë heroi. Sigurisht që ata që luftojnë kundër diktaturës. Diversantët i çonte CIA, ndërsa punëtorët e Sigurimit i drejtonte dhe armatoste KGB-ja. Nëse do të fitonin diversantët, Shqipëria do të bëhej vend i hapur properëndimor.
- Në cilën gazetë të huaj do të kishit dëshirë të botonit një shkrim dhe çfarë teme do të kishte ai shkrim?
Në gazetën “New York Times”. Atje do të kisha dëshirë të botoja shkrimin tim, të botuar në mars të këtij viti “Çfarë fsheh ‘Neë York Times’ për skandalin ”Diveroli”.”Neë York Times” fshehu faktin se pas Diverolit qëndronte kompania e shitjes së armëve “Beta” dhe këtë e bëri se kjo kompani është financuese e Obamës, që mbështetet nga “Neë York Times”.
- Ju impresionon apo ju bën për vete më shumë një njeri i ndershëm dhe punëtor apo një njeri i zgjuar?
Puna dhe ndershmëria mund të konsiderohen si dy virtyte pa të cilat zgjuarsia është e padobishme për shoqërinë.
- Çfarë bën kur je nervoz?
Lexoj.
- Çfarë të bën të mos rezistosh?
Një libër i mirë me çmim të lartë.
- Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar?
Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?
Zakonisht harroj të ha, duke qenë se jam duke shkruar apo lexuar. Meqënëse prioriteti im në shpenzimin e parave janë librat, jam mësuar që të mos kem shumë kujdes në të ngrënë. Për këtë arsye edhe pija më e pëlqyer është uji. Por kur kam rastin e shijoj me kënaqësi verën e mirë.
- Kë ke mik më të ngushtë?
Botuesin e gazetës “Sot”.
- Cili është huqi juaj më i keq? Çfarë zakonesh të mira ke?
Që të mbaj shënime për gjithçka ndodh në politikë, media. Pastaj këto shënime duhen shndërruar në artikuj dhe libra. Zakoni më i mirë që kam është nuk kam pasione që më marrin kohë, pra nuk luaj as shah, as letra, as tavëll e ku di unë cfarë tjetër.
- Çfarë të bën për të qarë?Çfarë të zemëron?Çfarë të bën të buzëqeshësh?
Nuk e mbaj mend herën e fundit kur kam qarë. Me kalimin e kohës zemërohem, më saktë do të ishte revoltohem gjithmonë e më pak, se jam mësuar që ta shikoj punën time si të tejkohshme, si ç’duhet të jetë puna e një intelektuali të vërtetë, dhe jo të lidhur me momentin.
- A e ke ndjerë ndonjëherë se ta kanë hedhur?
E kam ndjerë dhe i kam lejuar, se kjo është e vetmja mënyrë për t’i bërë disa punë të mira në Shqipëri.
- Kë ke dëmtuar gjatë rrugës tënde?
Politikanët dhe intelektualët e shitur. Por, kujtdo që ia kam bërë këtë, nuk kam pasur si qëllim që të përfitoj nga kjo gjë, dhe ata të gjithë e dinë.
- Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?
Mendoj se nuk jam bërë ende aq i famshëm sa publiku të ketë kuriozitete të tilla për mua.
- Me kë je dashuruar për herë të parë?Sa zgjati kjo dashuri?
Me kalimin e viteve reflektojmë dhe jemi në dilemë për të përcaktuar se cila ka qenë vërtet dashuria e parë. Unë ende nuk e kam ndarë dot këtë dilemë.
- Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?
Sorosin.
- Cili është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar?
Muzikë të lehtë dëgjoj vetëm rastësisht dhe do të gënjeja po të thosha se kam një këngë të preferuar. Më tepër më pëlqen të dëgjoj opera, kur kam kohë. Libri që më pëlqen më shumë janë kujtimet e Sharl De Gol. Sa për artistin edhe filma artistikë shikoj shumë rrallë. Madje edhe kur shikoj ndonjë fragment filmi, nuk ua di emrin artistëve.
- Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë?
Të votoja në zgjedhjet parlamentare dhe vendore në Shqipëri. Nuk e bëj që prej vitit 1997.
- Ku do të jetoje po të ishte plotësisht i lirë për të zgjedhur?
Në Janinë, që do të ishte e Shqipërisë.
- Cili do jetë libri i ri i ardhshëm që keni në plan për ta botuar?
Volumi i dytë i librit për Enver Hoxhën.
- Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë?
Nuk mbahet mend që kur nuk kam parë një film të tillë. Më vijnë ndërmend disa imazhe por nuk ua di emrin personazheve.