Analizë

ANALIZË nga Albi Xhunga: Flamuri i djathtë është ngritur

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Albi Xhunga: Flamuri i djathtë është ngritur

Nga Albi Xhunga

Për herë të parë në Shqipërinë postkomuniste të dhjathtët tradicionalë kanë shtëpinë tyre. Partia Demokratike, e cila lindi si parti e shpresës, por që më pas u uzurpua nga një njeri dhe u bë partia e një njeriu të vetëm, sot po rilind dhe po iu kthehet idealeve të dhjetorit 90 për të cilat u krijua. Të dhjathtët shqiptarë, qofshin këta qytetarë me bindje të djathta, të persekutuarit politikë, apo ish pronarët, (dy kategori totalisht të harruara nga PD) kanë sot partinë e tyre. Data 9 shtator 2021 dhe vendimi historik i Lulzim Bashës për ta ndarë Partinë Demokratike nga Sali Berisha dhe berishizmi do të mbetet guri i themelit për krijimit e një partie të qendrës së djathtë, euroatlantike dhe realisht demokratike. Mbi të gjitha, për herë të parë në historinë tonë, PD e re, pa kufoma në dollap dhe e pakapur nga hijet e së shkuarës, garanton se nga sot anti-korrupsioni ka përfaqësim të qartë politik.

Vrasja e Jul Çezarit si simboli i vrasjes së tiranit

Vrasja politike e Sali Berishës nga Lulzim Basha ka megjithatë disa ngjashmëri me vrasjen e ish perandorit romak. Njëri nga ata që i ngulën thikat perandorit ishte Bruti. Nga ku vjen dhe shprehja që ka hyrë në histori “Edhe ti o Brut?”, (Ky është varianti i përkthyer në shqip, ndërkohë që në origjinal ka qenë “Brut, edhe ti o bir?”

Bruti hyn në histori si tradhtar ‘’par excellence’’ duke i ngulur thikën mirëbërësit të tij, i cili jo vetëm ia kishte falur me zemërgjerësi pjesmarrjen në partinë kundërshtare të Pompeut, por i kishte dhënë bujarisht edhe pushtet. Mirëpo historianë të tjerë më realistë nuk shohin Brutin tradhtar, por vetë Çezarin. Ishte Çezari ai që me përdhunë i dha fund republikës qindra vjeçare në Romë, e cila vërtet nuk ishte demokraci, por ishte një ndarje shumë e balancuar pushtetesh, me senatin që miratonte ligje për qeverisjen e republikës dhe me dy konsuj (jo një, dy) që drejtonin shtetin dhe ndërroheshin çdo vit. Ishte Çezari ai që tradhtoi parimet mbi të cilat ngrihej republika dhe instaloi diktaturën.

Ashtu siç Bruti vrau Çezarin pikërisht nga pozicioni që vetë Çezari i kishte dhënë, edhe Lulzim Basha vrau Sali Berishën nga pozicioni që vetë Berisha i kishte dhënë. Dikur për ta vrarë politikisht dikë duhej ta eliminoje fizikisht, ndërkohë që sot, fatmirësisht, mjafton vetëm eliminimi politik. Nëse dikush mendon se për Sali Berishën kjo nuk mjaftoi, gabohet rëndë. Sali Berisha është sot një kufomë politike pa asnjë të ardhme. Të hipësh sot në anijen e tij, është njësoj si të hipje në Titanik pasi atë e kishte goditur ajsbergu. Jo vetëm Sali Berisha është politikan pa të ardhme. Edhe lëvizja e tij dumbabiste është lëvizje politike pa të ardhme. Siç me të drejtë e tha kandidati i PD për bashkinë e Tiranës, lëvizja e Sali Berishës është një lëvizje e pastër dumbabiste. Kjo lëvizje nuk ka doktrinë, nuk ka ideologji. E vetmja gjë që i mban bashkë këta njerëz është dëshira dumbabiste për rikthimin e pamundur të Sali Berishës.

Në historinë e botës ka pasur shumë lëvizje dumbabiste. Shembulli më tipik është lëvizja reaksionare e Vandesë, e cila donte t’i kundërvihej Revolucionit Francez, atij revolucioni që i ndërroi faqen Francës dhe të gjithë Europës dhe që është gurthemeli i qytetërimit perëndimor sot. Edhe në historinë tonë shqiptare kemi pasur disa lëvizje dumbabiste. Kur donim të shkëputeshim nga Perandoria Osmane, disa dumbabistë në Shqipërinë e mesme donin rikthimin e babës (sulltanit) dhe termin dumbabist e shpiku Kadareja pikërisht për këtë lëvizje. Kur donim të shkëputeshim nga Enverizmi dhe i gjithë populli ishte ngritur në këmbë pas lëvizjes studentore, kishte disa dumbabistë që donin të luftonin akoma për idealet e Marksizëm-Leninizmit. Edhe sot kur duam të shkëputemi nga berishizmi, ka një lëvizje që do babën. Një lëvizje e bazuar vetëm te dëshira e mbretit kokëprerë për t’u ringjallur politikisht, e cila na thotë se partia nuk është parti, një bashkim vullnetar individësh me interesa dhe ide të përbashkëta që synojnë pushtetin për të vënë në jetë këto ide; partia në fakt është Ai. Por asgjë për t’u shqetësuar. Ky është një fenomen i zakonshëm. Rrota e historisë ecën vetem në një drejtim dhe asnjë lëvizje dumbabiste nuk ka arritur ta kthejë atë mbrapsht, asnjë premtim robinhudist me autobusë gratis nuk mund ta ringjallë më një kufomë politike.

Le t’i kthehemi tani vrasjes së Sali Berishës nga akti kurajoz i Lulzim Bashës. Dy zgjedhje kishte përpara Lulzim Basha pas shpalljes non gratta të liderit historik nga SHBA-të. T’i shkonte pas në varrin politik Sali Berishës bashkë me të gjithë Partinë Demokratike, ose ta vriste politikisht dhe ta ndante partinë nga berishizmi. Lulzim Basha zgjodhi rrugën më të vështirë. Por ai ishte Lulzim Basha Bruti? Po! Lulzim Basha ishte Bruti që vrau tradhtarin e vërtetë të së djathtës në këto tre dekada tranzicion. Nqs PD u shndërrua në një parti nën thundrën e një njeriu, në një parti që ‘’harroi’’ çdo parim të djathtë dhe çod shtresë të djathtë, kjo ishte tradhtia e Sali Berishës ndaj idealeve të dhjetorit 90 mbi të cilat u themelua PD. Por edhe nëse do ta shohim këtë çështje, jo si njerëz të qytetëruar, por shqiptarçe, asgjë nuk ndryshon. Lulzim Basha nuk mund ta mbronte më shumë Sali Berishën edhe sikur ta kishte baba biologjik.

E ardhmja

Pas vrasjes së Çezarit, Mark Antoni me besnikët e perandorit sulmoi Romën. Populli Romak nuk i përkrahu komplotistët e quajtur tradhtarë, por që në fakt ishin çlirimtarë dhe këtë e pagoi me qindra vjet robëri. Sot fatmirësisht jetojmë në një kohë tjetër. Popullit i jepet rregullisht mundësia të shprehet me votë.

Në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit populli opozitar nuk e përkrahu masivisht ndarjen e partisë nga berishizmi. Megjithatë kjo është një e vërtetë e pjesshme. Nëse Sali Berisha nuk do të kishte përfshirë aleatin e tij natyral, Ilir Metën, në betejën e tij për uzurpimin e Partisë Demokratike, duke u paraqitur si shumicë dërmuese në parti me ndihmën e mediave të kontrolluara prej tij, ne do të kishim vënë re se votat e demokratëve janë aty-aty. Berisha arrin të duket si shumicë me ndihmën e Ilir Metës dhe Nard Ndokës.

Por edhe nëse e pranojmë se Sali Berisha ishte shumicë në atë moment, kjo nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe. Politika nuk është shkencë ekzakte. Në politikë shumicat lëvizin. Kryesia e Partisë Demokratike është aty si rezultat i zgjedhjeve në parti pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, ku PD pagoi faturën e berishizmit. Faktori ndërkombëtar mbylli sytë para ndryshimit të rregullave të lojës nga mazhoranca. Ambasadorja e SHBA-ve u shpreh se ‘’ajo nuk mund të pengonte Kuvendin të kryente funksionet e tij’’. Ndryshe do të kishte qenë puna sikur PD nën dominimin e Berishës të mos i kundërvihej refomrës në drejtësi. Pra organet e PD-së janë legjitime, pasi kanë dalë nga një proces i rregullt. Madje në këtë proces kanë votuar edhe ata që sot janë jashtë PD, përfshirë Sali Berishën. Sot mund të jenë penduar për votën e tyre, por në demokraci vota nuk është e revokueshme. Kështu funksionojnë jo vetëm partitë politike, por edhe demokracitë perëndimore. Kuotat e presidentit amerikan, Joe Biden, kanë rënë sot nën 40 përqind. Kuotat e presidentit francez, Emmanuel Macron, pas reformës së pensioneve i ngjajnë katastrofës. Ama nuk kemi dëgjuar kënd të kërkojë zgjedhje të parakohshme në SHBA apo në Francë.

Kështu funksionon në demokraci. Një kryeministër (apo president në republikat presidenciale) zgjidhet me shumicën e votave për një mandate 4 vjeçar. Përgjatë mandatit ai ndërmerr reforma. Në fillim ata që preken nga këto reforma revoltohen, ndërkohë që ata që përfitojnë ende nuk e kanë ndjerë efektin. Kështu kuotat e liderit bien. Kjo është skema klasike. Por lideri gjykohet në fund të mandatit. Nqs reformat kanë sukses, rizgjidhet. Nëse jo rrëzohet. Zgjedhje të parakohshme ka rrallë, në situata të jashtëzakonshme. Dhe natyrisht jo sepse iu tek një njeriu.

Kjo po ndodh edhe në Partinë Demokratike. Ndarja nga berishizmi është një reformë e thellë. Lidershipi i partisë do të gjykohet me votë kur reforma të jetë kryer plotësisht. Madje kryetari në detyrë, z. Enkelejd Alibeaj, ka njoftuar tashmë zgjedhje në parti pas 14 majit. Ai ftoi dhe ata që i janë bashkuar Berishës të kandidojnë, natyrisht, me kushtin e vetëm distancimin e qartë nga berishizmi.

Pra edhe nëse sot elektorati i djathtë është i turbulluar; nga njëra anë i ‘’bombarduar’’ nga propaganda rilindase dhe berishiste dhe nga ana tjetër nga mesazhet e paqarta që po jep një pjesë e lidershipit të partisë duke përkrahur kandidatët e Berishës, ujrat do të kthjellohen dhe njerëzit do të qartësohen.

Edhe në këto zgjedhje lokale Partia Demokratike nuk do të jetë shumicë. Efekti i propagandës, me televizione që i japin kohë personit non gratta sikur të ishte kryetar i PD, me mesazhet ende të paqarta të lidershipit, të cilat megjithatë tregojnë se demokracia në parti funksionon, me lënien e fushës bosh Berishës për më shumë se një vit, do të ketë një efekt jo pozitiv në këto zgjedhje. Por lajmi i mirë është se tashmë po krijohet një pol opozitar, realisht i djathtë, euroatlantik dhe me qasje të qartë antikorrupsion.

Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit u përjetuan gabimisht si një disfatë e fortë elektorale në një pjesë të lidershipit demokrat. Gota nuk u pa gjysmë plot, nuk u pa as gjysmë bosh. Gota u pa e boshatisur. Ishte shumë naive të mendoje se me një palë zgjedhje të pjeshme lokale do t’i merrje partinë Sali Berishës. Aq më tepër kur Berisha u përzie me partinë e Nard Ndokës dhe me LSI dhe votat e tyre i paraqiti si shprehje e mbeshtetjes së demokratëve ndaj tij. Por nuk duhet harruar se logoja e PD-së zyrtare, ajo logo të cilën me të drejtë shkrimtari Preç Zogaj e ka quajtur busull që i tregon të djathtës shqiptare, jo veriun, por Perëndimin, mori rreth 30 përqind të votës opozitare. Pra një në tre opozitarë (Jo demokratë, opozitarë. Brenda kampit demokrat raportet janë ndryshe) votoi Partinë Demokratike. Ky ishte një rezultat elektoral që e bënte PD-në pjesë të çdo ekuacioni opozitar për të marrë pushtetin dhe ishte këndvështrim i gabuar të përjetohej si humbje.

Koha punon për Partinë Demokratike

Grupimi i Foltores do të shuhet me kohën. Edhe sikur drejtësia e re të mos veprojë kurrë ndaj peshkaqenëve të korrupsionit shqiptar, Rama, Berisha e Meta, kjo lëvizje do të tretet pasi është lëvizje pa ideologji, pa doktrinë dhe e ngritur mbi mashtrimin se Berisha do të merrte PD-në, nga e cila e përzuri Lulzim Basha me një vendim personal. E vërteta është krejt tjetër. Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar me një vendim të tijin si kryetar i partisë. Por për ta përjashtuar përjetësisht nga partia ai kishte shumicën e kryesisë, shumicën e grupit parlamentar, shumicën e kryetarëve të PD-së në rrethe dhe shumicën në Këshillin Kombëtar. Historitë me kuvende kombëtare të cilët kanë më shumë antarë se PKK Kineze janë thjesht qesharake. Kjo do të duhet të korrigjohet në riformatimin e PD nga lidershipi aktual. Të mos harrojmë se tre nga drejtuesit kryesorë të PD-së, Basha, Alibeaj dhe Bardhi, janë juristë të spikatur dhe formalisht nuk i kanë lënë asnjë mundësi ligjore Berishës të rimarrë partinë. Gjithkush duhet ta dijë se Berisha nuk do të jetë kurrë më PD dhe kjo duhet theksuar në çdo dalje publike të eksponentëve të PD. Grupimi i tij nuk mund të mbijetojë nën emrin e tij të goditur nga SHBA dhe Britania e madhe. Është e vështirë të mendohet se ashtu siç themi e djathta Goliste për të djathtën klasike franceze, apo e djathta rugoviane për pasardhësit e Ibrahim Rugovës në Kosovë, nesër të themi e djathta berishiste për grupimin e tij. Emri i tij është damkosur dhe në grupimin e tij ka shumë ‘’shën Pjetër’’ të cilët do të nxitojnë ta mohojnë sapo të jetë larguar nga skena. Ai e di këtë.

Pas 14 majit fillon ringritja e Partisë Demokratike. Nqs do t’u besojmë sondazheve, PD del me mbi 10 përqind të votës popullore. Ky është një rezultat i mirë për një parti që u zhduk nga skena publike për më shumë se një vit. Me këtë bërthamë të shëndetshme votuesish PD bëhet poli më i rëndësishëm opozitar në një kohë të shkurtër. Deri më sot ka pasur rrjedhje, por nesër do të ketë afrime. Askush nuk ka rendur pas Sali Berishës për t'u bërë anti-amerikan. Kanë rendur pas tij sepse kanë besuar propagandën që ju thotë se non gratta do të bëhet gratta sapo të fitojë zgjedhjet. Duke i lënë fushën bosh u krijua ideja se e vetmja opozitë e qënësishme ishte dyshja tragjike Berisha/Meta. Sapo ujrat të kthjellohen dhe do të kthellohen shpejt, të gënjyerit do të kthehen në shtëpinë e tyre. Madje edhe oportunistët do të rendin pas më të fortit.

Asnjë frikë nuk duhet të ketë lidershipi i Partisë Demokratike as nga disidentët brenda PD që sot bëjnë fushatë hapur për kandidatët e Berishës. Ata nuk kanë vota. Votat i ka ideja e ndarjes së partisë nga Berishizmi, ata që e morën atë vendim dhe që i qëndruan atij vendimi.

Ringritja e strukturave, ndërgjegjësimi i popullit të djathtë, veprimet e shumëpritura të SPAK ndaj korrupsionit dhe goditjet eventuale nga SHBA dhe BE do të bëjnë pjesën e mbetur të punës. Lajmi i dalë ditën e djeshme se BE ka shprehur vullnetin të luftojë korrupsionin kudo në botë, duke iu ndaluar hyrjen në BE të korruptuarve dhe duke iu ngrirë pasuritë, është lajm i kobshëm për të treja brinjët e trekëndëshit të Bermudeve (gjetje e Lulzim Bashës kjo). Skena do të pastrohet. Në mos, SHBA-të do të bënin mirë ta mbyllnin fare ambasadën në Tiranë, duke lënë vetëm shërbimet konsullore dhe të shpallnin humbjen ndaj të korruptuarve, mgjs Shqipëria nuk është terren hostil për ta siç ishte Afganistani. Por natyrisht që kjo nuk do të ndodhë. Gabriel Escobar u shfaq i ashpër në vizitën e fundit në Tiranë. Reagimet e tij parashikojnë furtunë. Përveçse vuri pikat mbi I për non gratta-t, ai i vuri dhe ‘’vizën’’ kryeministrit, duke deklaruar se marrdhënia e SHBA-ve është me popullin shqiptar dhe jo me individë (kurseu të thoshte ‘’jo me individë të korruptuar’’). Vërtet duket e errët situata, jo vetëm në opozitë, por në të gjithë skenën politike shqiptare. Por thonë se errësira duket më e thellë, pikërisht para se të dalë dielli.

Nuk duhet harruar se në luftë nuk fitojnë më të fortët, fitojnë më të vendosurit. SHBA-të në Vietnam, Bashkimi Sovjetik në Afganistan dhe Rusia e sotme në Ukrainë e vërtetojnë katërcipërisht këtë. Qëndrestarët e Partisë Demokratike do të rikompesohen. Qëndresa nuk do të vonojë t’i sjellë frytet. Vetëm se nesër duhen mbajtur premtimet. PD duhet të jetë një parti e hapur. Të harrohen inatet e vjetra. Të hapen dyert për ish-ët, por edhe për të gjithë shoqërinë, duke garantuar mundësi karriere me baza meritokracie dhe gare për cilindo anëtar dhe në cilindo nivel.

Lajmi i mirë është se megjithë vështirësitë, flamuri i djathtë është ngritur. Të djathtët shqiptarë kanë se ku të bashkohen. Justifikimi se ‘’nuk kemi për kë të votojmë’’ nuk qëndron më.

Thirrja e kryetarit në detyrë, z. Enkelejd Alibeaj, në fjalimin hapës të fushatës nuk është si e Sali Berishës, ‘’ejani e rreshtohuni pas meje si një numër’’, por ‘’Ejani në Partinë Demokratike dhe rreshtohuni krahas nesh si një emër, si dikush që ka aksionet e tij në një parti politike’’, siç në fakt do duhej të funksiononte një parti politike normale që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë.

PS; Të mos harrojnë t’i çojnë Atij (në një sini) një palë domino dhe një letër të vulosur nga busulla e të djathtëve, ku t’i urojnë pleqëri të mbarë. Tek e fundit duhet të mbetemi njerëz.

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH