Kreu i ri i SPAK do të jetë Altin Dumani, i cili do të pasojë në detyrë Arben Krajën. Ai është zgjedhur me 5 vota nga anëtarët e KLP-së, ndërkohë prokurori Edvin Kondili ka marrë 4 vota, ndërsa Adnan Xholi vetëm 1 votë.
Gjatë prezantimit të platformës së tij, Dumani ka folur për çështjet që ka ndjekur deri tani, duke pasur edhe ngjarje mjaft sensitive.
“Kam shpenzuar rreth 8 vite në prokurorinë e apelit në Tiranë. Gjithashtu edhe qenia pjesë e seksionit të krimit të organizuar më ka dhënë mundësinë të angazhohem në hetimin e çështjeve shumë sensitive. Vlerësoj se i kam përfaqësuar me sukses këto çështje duke u përballur me eksponentë të krimit të organizuar duke përfaqësuar në mënyrë të denjë akuzën para çdo personi. Kam organizuar hetime, kam kërkuar burgime të përjetshme dhe që i ka miratuar edhe gjykata. Kam ndërtuar një klimë shumë të mirë me prokurorët e linjës. Duhet të rritet besimi tre drejtësia. Jam shumë i motivuar për të garuar për kreun e ri të SPAK. Bashkëpunimi me njëri-tjetrin duke u bërë pjesë e hetimit me grupet hetimore të ngritura. Nuk mund të lë pa përmendura edhe luftën kundër krimit të organizuar. Kemi sot një bashkëpunim shumë të frytshëm, të cilët gjejnë një partner besnik dhe të aftë profesionalisht. E vetmja mënyrë për të për të goditur krimin e organizuar është bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtar. Detyrën time e shoh si mision dhe jo si vend pune. Jam i angazhuar prej 23 vitesh në prokurori”, tha Dumani.
Më tej prokurori deklaroi se do të vazhdojë t’i ndjekë këto çështje, pasi punën e prokurorit e bën me pasion dhe se do të vazhdojë deri në fund.
“Është e vërtetë që akoma kam shumë dosje në hetim. E kam shprehur dhe e kam shkruar edhe në platformën time, do vazhdoj të ndjek çështjet shumë të rëndësishme të cilat kanë impakt në opinionin publik apo fateve të SPAK. E kam bërë këtë edhe si zëvendës drejtues. Po si e kam bërë? Kam dalë nga shtëpia 06:45 dhe jam kthyer pas orës 19:00. Të shtunat janë punë normale, të dielat janë part-time edhe po nuk dal në zyrë, kam marrë diçka me vete në shtëpi. Unë jam prokuror dhe vazhdoj të ngelem prokuror do Zoti deri sa të dalim në pension. Jam shumë i kënaqur që jam prokuror, për më tepër në SPAK që e shoh si mision jo si vend pune”, tha Dumani.
Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtusit deri në vitin 2007. Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.
Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 është komanduar si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.
Dumani garoi përballë Adnan Xholit dhe Edvin Kondilit. Në sallën e KLP-së sot ndodheshin edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe të ambasadës amerikane. /Liberale.al