Kryetari i grupit parlamentar për Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaron se ngjarja e sotme në Milot është tregues i qartë i dështimit të kësaj qeverie përballë krimit dhe bandave.
Përmes një postimi në Facebook, Alibeaj ka reaguar ashpër për atentatin me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e sotme ndaj Klinsman Preçit dhe Ylli Brahimit në qytezën e Milotit.
Aliebaj thekson se “regjimi i Ramës dhe bota e krimit janë të lidhura me fije të forta pushteti dhe interesi financiar”.
Ngjarja e sotme në Milot është tregues i qartë i dështimit të kësaj qeverie përballë krimit dhe bandave. PD ka denoncuar që herët, me fakte dhe dokumenta përfshirjen e segmenteve të caktuara të policisë së shtetit dhe qeverisë me botën e errët të krimit. Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit jo vetëm konfirmojnë shqetësimin dhe denoncimet tona, por janë dëshmi e qartë për shqiptarët se kjo qeveri dhe ky kryeministër janë të dorëzuar dhe peng i bandave që terrorizojnë shqiptarët. Regjimi i Ramës dhe bota e krimit janë të lidhura me fije te forta pushteti dhe interesi financiar. Pa u larguar ai që ka lidhur pushtetin e tij me bandat, bota e krimit do të rrezikojë çdo ditë e më shumë rendin dhe sigurinë në Shqipëri.