Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është shpallur "Qytetar nderi" i Bashkisë Tropojë. Titulli është dhënë nga kryebashkiaku Rexh Byberaj, në një ceremoni të mbajtur në Pallatin e kulturës “Dardania” në Bajram Curri”, më 5 tetor, e cila nisi me himnin kombëtar.
Madje kreut të BDI-së iu kushtua dhe një këngë nga rapsodët, duke i urdhëruar mirëseardhjen.
Pas marrjes së titullit, Ahmeti në fjalën e tij deklaroi: "Me datë 28 janar 2024 do të kemi kryeministrin e parë në Maqedoninë e Veriut dhe do të kthehem në Dardaninë Alpine, në Malësinë e Mirë, në Malësinë e Gjakovës më datë 29 korrik në përvjetorin e rënies së bashku me Tahir Sinanin e derdhur në bronz".
Ai e dha lajmin e shumëpritur para anëtarit të kryesisë së PD dhe ish-deputetit, Azgan Haklajt dhe para gjithë të ftuarve që ishin të pranishëm. Pas kësaj gjithë salla e mbushur plotë për plotë shpërtheu në duartrokitje dhe ovacione emocionuese.