Prej dy muajsh fluturimet përmes aeroportit ndërkombëtar të Kukësit janë ndërprerë.
Dy kompanitë ajrore Air Albania dhe Helvetica nuk kanë programuar fluturime të tjera dhe sipas drejtorit të aeroportit Altin Progonati kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit te fluturimeve apo edhe udhëtarëve për sezonin e dimrit.
Fluturimet pritet të rinisin në fund të muajit shkurt, fluturime këto që sipas drejtorit Progonati, pritet të shtohen me dyfish apo trefish të tyre e po aq edhe shtimi i destinacioneve të tjera.
Megjithëse nuk ka fluturime, në aeroportin e Kukesit punohet çdo ditë me kapacitet të plotë të punonjësve, pasi ka pune të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtje e meremetime në aeroport. Progonoti thotë se aeroporti i Kukësit, është certifikuar që ditën e pare dhe ska vend per spekulime rreth procesit te certifikimit apo operacioneve te fluturimit, duke nënvizuar se aeroporti i Kukesit është ndërtuar sipas standarteve ndërkombëtar të aeroporteve dhe i plotëson më së mire këto standarde.
Aeroporti i Kukësit, nisi operacionet e fluturimeve në datën 9 qershor të këtij viti me dy kompani ajrore, me destinacionet Zyrih e Stamboll. Gjatë periudhës së funksionimit të tij, në korrik e gusht udhëtuan më shumë se 8 mijë pasagjerë.