Imazhet që u vinin vringthi ndërmend për të shoqëruar sloganin “E bën dot?”, me të cilin kishin zgjedhur të prezantonin Universitetin Europian të Tiranës, ishin ato të Mic Sokolit dhe Vojo Kushit. I pari me gjoksin topit dhe i dyti, kohë më vonë në histori me gjoksin tankut. Në fondin e Galerisë Kombëtare, të dy figurat ishin përjetësuar nga peneli i piktorit Sali Shijaku.
Lajmi i trishtë, i ndarjes nga jeta të piktorit 89- vjeçar, i riktheu themeluesit e universitetit, në ato ditë të para, kur si të rinj të shkolluar në Perëndim dhe fare pak të njohur në mjediset publike shqiptare, i telefonuan mjeshtrit të pikturës, duke i shpjeguar me pse kërkonin lejë në përdorimin e imazhit të dy prej pikturave të tij, ikonike.
Shijakut i pëlqeu ideja e atij grupi të rinjsh që kërkonin të sillnin një frymë perëndimore cilësisë në arsimin e lartë shqiptar dhe iu tha se mund t’i përdornin imazhet, pa paguar asgjë.
Me pamjet e Vojo Kushit dhe Mic Sokolit që sfidonin sisteme dhe pushtues, lindi fushata e parë e Universitetit Europian të Tiranës më 2006-n.
Fushatë që nuk kaloi pa ngacmuar debatin publik e intelektual në kryeqytet, ndërsa u pasurua dhe zgjerua me të tjera imazhe që kalonin sa nga piktura të Realizmit Socialist - me veprën e Guri Madhit “Mbledhja e 81 partive komuniste në Moskë” apo tablonë “Ky truall ka zot”, nga Sabaudin Xhaferi me partizanin që thyen portretin e Hitlerit-, tek fotografi që kanë shënjuar historinë botërore, por edhe atë vendase, si Rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha më 1991, takimi i Churchill me Roosvelt dhe Stalinin, më 1945-n në Jaltë, si edhe takimi i Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbaçov, dy liderët që i dhanë fund Luftës së Ftohtë, më 1987-n.
Vite më vonë, gjatë kremtimit të 15 vjetorit të UET, një prej themeluesve, Blendi Kajsiu kujtonte zhurmën që solli fushata e ngjizur prej tyre, ku imazhet e përzgjedhura ngacmuan jo pak. Për kohën, e mendon ai, qëlloi si një bombë. Ndoshta me një efekt shumë më të madh sesa e kishin menduar intelektualët e rinj, që nisën të shfaqeshin në media si Liberalët e Djathtë.
“Ishte një sfidë që ne menduam se po ia bënim shoqërisë me parullën “E bën dot?” – që edhe ajo u diskutua se kishte nënkuptime të mira apo të këqija, që ndoshta neve nuk na kishte shkuar ndërmend...”, kujtonte Kajsiu.
Përjetësimi i Vojo Kushit mbi tank, ngjarja ku ai ra dëshmor në rrethimin e Kodrës së Kuqe në Tiranë nga pushtuesit fashistë, ishte edhe piktura që e shkëputi Shijakun nga stili i të pikturuarit dhe e ccoi drejt vizioneve të reja.
Siç e cilësojnë kritikët e artit, me pikturat e Vojo Kushit më 1969 dhe Mic Sokolit, më 1976, monumentalizmi bëhet primar në pikturën e Shijakut, me personazhe që, ndonëse me fund tragjik si pasojë e flijimit për një kauzë.
Por, edhe pse piktura e Vojo Kushit, figurë e kthyer në simbol të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe narrativës së mëvonshme komuniste dhe e Realizmit Socialist në artin figurativ, piktori rrëfente se i ishte dashur ta shpëtonte personazhin nga censura e regjimit.
Për pikturën u bë një mbledhje, ndërsa kritikohej portretizimi i heroit me këmbët zbathur.
“Unë shkova dhe bëra sikur ndryshova diçka. Kur më thanë nëse e bëra këpucën, u thashë se: këmbëzbathurit e kanë bërë luftën, jo ata që vishnin këpucë”, kujtonte Shijaku.
Vetë piktori ishte lindur e rritur në lagjen tiranase, e njohur si Kodra e Kuqe dhe aty banoi deri në fund, ku shtëpia e tij i kishte kaluar edhe përmasat e një galerie arti, për t’u shndërruar në muze.
Kishte qenë nëntë vjeç, atë tetor të vitit 1942 dhe i mbante mend mirë zhurmat e mitralozëveë dhe bombave që hidheshin, jo fort lart prej shtëpisë së tij.
“Nëna më thoshte se janë patat. Pastaj kam parë edhe njerëz me kobure, që ecnin të kërrusur dhe të frikësuar. Kur shihte pikturën nëna qante, sepse më thoshte se e kisha bërë tamam, me ata flokët që i binin si bisht dhelpre...”, kujtonte Shijaku.
Portretin e Vojo Kushit e solli në pikturë nga një fotografi e Arkivës, e shkrepur në morg, me plumbin ende në ballë. Madje herën tjetër që kam qenë këtu nisa një portret të tijin, por nuk mund t’i bëja një portret si i vrarë...E vazhdoj që ta pikturoj të gjallë”, rrëfente Shijaku.
I donte temat nga lufta dhe historia, po aq sa edhe ato nga legjendat apo edhe të aktualitetit.
Ai i kishte pikturuar Heronjtë e Vigut, në një punim të kohës studentore, kur kthehej nga Shën Peterburgu ku pati mundësi të mësojë nga piktorë të njohur rusë, ndërsa Norën e Kelmendit e përjetësoi mbi telajo nga legjendat, në fillim të viteve ’80.
Shijaku gjithaq është i njohur për vepra si “Kostum tiranaseje”, si një tribut i kulturës dhe traditave të krahinës së tij, po ashtu edhe “Portret Vajze”.
Gjatë jetës u nderua me tituj si Artist i Merituar, Piktor i Popullit, Nder i Qarkut të Tiranës dhe së fundi, Nder i Kombit, nga presidenti Meta. Ky i fundit, në një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit, zbuloi edhe rrëfimin e Shijakut mbi ngjarjen e 7 tetorit, në Kodrën e Kuqe dhe sesi e solli në pikturë Vojo Kushin.
Nderimet e fundit për mjeshtrin e pikturës shqiptare, i cili gjithashtu përgatiti breza të tërë piktorësh si pedagog në Akademinë e Arteve, u mbajtën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.