Aktualitet

22 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur, lidershipi evropian dënon sulmet ndaj Izraelit: Terrorizëm i neveritshëm

Shkruar nga Liberale
22 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur, lidershipi evropian dënon

Ndërsa kryeministri izraelit pranoi fillimin e një lufte, pas sulmeve nga Hamasi, të shumta kanë qenë reagimet nga lidershipi evropian, duke dënuar ata që u bënë iniciatorët e një konflikti të ri të armatosur.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet pa dallim të nisura kundër Izraelit dhe popullit të tij këtë mëngjes, duke shkaktuar terror dhe dhunë kundër civilëve të pafajshëm. Mendimet e mia janë me të gjitha viktimat. BE qëndron në solidaritet me popullin izraelit në këtë kohë të tmerrshme”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dënoi “pa mëdyshje sulmin e kryer nga terroristët e Hamasit kundër Izraelit. Është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme. Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të tilla të neveritshme."

“Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë”, vuri në dukje përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, duke shtuar se “BE shpreh solidaritetin e saj me Izraelin në këto kohë të vështira”.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nënvizoi: “Dënojmë terrorin dhe dhunën që ushtrohet ndaj njerëzve të pafajshëm. Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë nën zjarr, të gjithë reaguesit e parë dhe ata që mbrojnë kundër këtyre sulmeve barbare. Terrori nuk do të mbizotërojë kurrë”.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit thotë se të paktën 545 persona janë plagosur në sulmet palestineze, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Të paktën 22 izraelitë kanë vdekur në sulmet e paprecedentë, sipas shërbimeve të urgjencës.

Edhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka bërë reagimin e tij të parë, ku thotë se populli i tij ka të drejtë të mbrohet kundër "terrorit të kolonëve dhe trupave pushtuese"./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH