Aranit Muraçi
Prej viteve ’90, shqiptarët edhe sot e kësaj dite largohen masivisht nga vendi i tyre, eksod që është shoqëruar me ulje-ngritje por nuk është ndalur asnjëherë 32 vite pas rënies së komunizmit. Vlen të theksohet se gjatë viteve të fundit, veçanërisht këtë vit, shqiptarët kanë preferuar të emigrojnë më së shumti në Britaninë e Madhe, aq sa janë kthyer në debatin kryesor të politikës së ditës në Londër.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 12 mijë shqiptarë, meshkuj dhe kryesisht të rinj kanë emigruar me gomone vetëm këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar. Një arsye, që shqiptarët largohen mund të jenë shifrat ‘e çmendura’ të çmimeve të pashpjegueshme të apartamenteve, aq sa as fituesit e Nobelit në ekonomi nuk do të mund t’i jepnin dot asnjë shpjegim.
Shqiptarët ikin nga vendi i tyre, por pavarësisht largimit të tyre dhe për rrjedhojë pakësimit të popullsisë shtohen ndërtimet kryesisht në Tiranë dhe rriten vazhdimisht çmimet e apartamenteve. Nga ana tjetër edhe pse emigrantë nga e gjitha bota emigrojnë në Britaninë e Madhe, ndërsa fluksi i ndërtimeve në raport me popullsinë është shumë më i ulët, bien çmimet e apartamenteve.
Rreth 40 për qind vlerësohet rritja e çmimeve bazë gjatë vitit të fundit për shkak të krizës, çka e ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, në Shqipëri. Dhe po kaq me 40 për qind, absurditet në logjikën ekonomike të tregut, është vlerësuar rritja e apartamenteve të pallateve që ndërtohen në çdo hapësirë të mundshme të Tiranës.
Rënia e çmimit të apartamenteve ka një logjikë ekonomike për Britaninë, ku më kryesorja është rënia e fuqinë blerëse. A ka ndonjë “ekspert” apo “specialist” nga rreth 100 mijë që paguan Administrata Publike, që të shpjegojë fenomenin, se çfarë ndodh me çmimet në Shqipëri?
Çmimet e banesave në Mbretërinë e Bashkuar sipas shifrave zyrtare ranë në nëntor me ritmin më të shpejtë që nga periudha e krizës financiare, duke përjashtuar periudhën e bllokimit prej pandemisë, në pranverën e vitit 2020. Kjo rënie ka ndodhur për arsyen se rritja e kostove të huamarrjes goditi financat e familjeve britanike, sipas ofruesit të hipotekave Nationwide. Duke pasur më pak para, britanikët do të investojnë më pak për të blerë shtëpi. Rënie e ndjeshme e kërkesës, sipas ligjeve të tregut, çon në uljen e çmimeve.
Çmimet e shtëpive ranë 1.4 për qind në Britani midis tetorit dhe nëntorit - rënia më e madhe që nga kulmi i bllokimit prej pandemisë së koronavirusit, dy vjet më parë - pas një rënie prej 0.9 për qind që u regjistrua muajin e kaluar. Duke përjashtuar pandeminë, kjo ishte rënia më e madhe mujore që nga kriza financiare e vitit 2008.
Rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua në 4.4 për qind në nëntor, nga 7.2 për qind që ishte në tetor. Të dyja ishin nën rënien mujore prej 0.3 për qind dhe rritjes vjetore prej 5.8 për qind që kishin parashikuar ekonomistët e anketuar nga Reuters.
Robert Gardner, kryeekonomist i Nationwide, tha se rënia reflekton pasojat nga buxheti "mini" katastrofik i qeverisë, i shpallur në shtator, në tregun e banesave. - “Ndërsa kushtet e tregut financiar janë stabilizuar, normat e interesit për hipotekat e reja mbeten të larta dhe tregu ka humbur një shkallë të konsiderueshme të vrullit,” shtoi ai. Çmimi mesatar i shtëpisë në Mbretërinë e Bashkuar ra në 263,788 paundë, nga 273,751 paundë (10 mijë paundë) që ishte në gusht, sipas Nationwide.
Normat e hipotekave pasqyrojnë pritjet afatmesme të politikës së normës së interesit që u rritën pas deklaratës fiskale të ish-kancelarit Kwasi Kwarteng, e cila përmbante 45 miliardë paundë ulje të taksave të pafinancuara.
Gabriella Dickens, ekonomiste e lartë në Mbretërinë e Bashkuar në konsulencën Pantheon Macroeconomics, tha se pret një rënie edhe më të madhe të çmimeve të banesave prej rreth 8 për qind, duke përmbysur rreth një të tretën e rritjes që nga fillimi i pandemisë.
Kjo për shkak se, përveç rritjes së normave, të ardhurat e disponueshme të familjeve duket se do të bien me rreth 2 për qind vitin e ardhshëm, pasi mbështetja e qeverisë për faturat e energjisë po bie dhe papunësia po fillon të rritet.
Shtrohet sërish pyetja: Kush do t’i blejë apartamentet që shtohen në vendin tonë dhe me çfarë, teksa çmimi i tyre vetëm rritet, kur shifrat tregojnë largimin masiv të të rinjve shqiptarë dhe po ashtu kriza e çmimeve i ka goditur më keq ata, krahasuar me vendet e tjera të Europës? /Liberale.al/