Kryesore

“Zogjtë e qyqes”, promovohet në Prishtinë

               Publikuar në : 10:54 - 05/07/21 liberale

Mbrëmje letrare-artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

 Prishtina ruan të gjallë mjedisin letrar përmes takimeve të zgjeruara letrare për përcjelljen e botimeve të reja, në rrethin e kritikës dhe të lexuesve. E tillë ishte mbrëmja letrare-artistike që iu kushtua krijimtarisë e veprimtarisë së  shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit  e publicistit Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit Kadare 2021 me romanin “Zogjtë e Qyqes”.

Mbrëmja u çel me interpretimin emocionues të aktores Sheqerie Buçaj nga monodrama e autorit “Kohë cubash, miku im”.

Në vazhdim, gazetari dhe ish-spikeri i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës, Shaban Arifaj, shkrimtar, u ndal në recensionin për romanin e fundit “Zogjtë e qyqes”, i cili është tashmë në duart e lexuesit në Shqipëri dhe Kosovë, nga shtëpia botuese UETPRESS.

“Krijimtaria letrare e Gani Mehmetajt ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të vendos në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pashkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqes një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë të veçantë.

Mehmetaj ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadarean të shkrimit prozaik”, shkruan ndër të tjerat Arifaj.

Poetja Naime Beqiraj me emocione artistike deklamoi fragmentin nga romani “Zhvarrimi” i këtij autori.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kishës katolike në fjalën e rastit u përqendrua në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mehmetajt. “Zogjtë e qyqes nuk mund të bëjnë vezë në folenë e shqiponjës”, tha në fund të fjalës së tij Imzot Dodë Gjergji.

Ndërkaq, don Lush Gjergji, autor i shumë librave në shqip dhe në gjuhë të huaja, vuri në pah disa momente kyçe të krijimtarisë, duke e shquar mprehtësinë dhe guximin e autorit.

Në takim u përcoll edhe vlerësimi i dr. Blerim Latifit, anëtar jurie i çmimit “Kadare”, mbi romanin.

“Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vetë, mos po mendoj si serb.

Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental”, shkruan ndër të tjera profesori i filozofisë Dr Blerim Latifi.

Dr. Femi Cakolli, pastor dhe studiues i Letërsisë, u përqendrua në disa segmente të shkrimtarit, meqë është ndër të pakët që e ka përcjell krijimtarinë  e Gani Mehmetajt nga fillimi me shkrime recensionale e studimore.  Dr. Cakolli u përqendrua në autorin polemist, apologjet, misionar dhe bartës i idealizmës së rilindësve.

Dr Cakolli foli për autorin publicist, dramaturg, por edhe për autorin shkrimtar që preokupohet për të kaluarën, duke bërë paralelizma dhe krahasime me të sotmen. Ai shquan disa faza të krijimtarisë së Mehmetajt, që kanë të njëjtin qëllim, sipas tij, bartjen e mesazhit, ngritjen e vetëdijes dhe qëllimin e misionarit.

Në një mbrëmje që u pasurua nga disa interpretime artistike, të rinjtë e “Shtëpisë së Shpresës” i dhanë një mirënjohje të veçantë autorit Mehmetaj si “Pena e shpresës”, sipas vlerësimit të tyre për shkrimet shpresëdhënëse dhe të guximshme.

Gani Mehmetaj fitoi çmimin “Kadare” 2021 me dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë.

Ai është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit.

……………………………….

Shtjellimi i romanit “Zogjtë e qyqes”, i ngjan një filmi artistik

Shaban Arifaj, shkrimtar

Krijimtaria letrare e Gani Mehmetaj, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të vendos në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pa shkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqesë një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë krejt të veçantë. Përmes gojës së kolonit serb, të cilin e paraqet në vetën e parë, ai arrin të vijëzojë tërë vrazhdësinë e kohës me copëza romantike dhe reale jetësore të kohës. Kolonët vijnë e shkojnë, por nuk mund të lëshojnë rrënjë në tokë të huaj. Privilegjet ndaj tyre janë të kota, sepse as qyqja në folenë e huaj, nuk mund të zërë vend.

Nga ana tjetër, dromcat e dashurisë të paraqitura me besnikëri nga shkrimtari, paraqesin jetën reale të kohës, po megjithatë si raste më të rralla, të cilat realisht kanë ndodhur sipas parimit: “dashuria nuk njeh kufij e racë”.

Kështu, shtjellimi i ngjarjes së romanit i ngjan një filmi artistik të metrazhit të gjatë, me të gjitha tatpjetat e kohës, të paraqitura me besnikëri. Ganiu e shtjellon aq rrjedhshëm ngjarjen, saqë lexuesi thellohet fuqishëm në brendinë e saj, dhe imagjinon vetën e tij si pjesë të romanit.

Ganiu ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadarean të shkrimit prozaik.

Fondi i fjalëve, prej të cilave disa edhe nga rrënjët e gjuhës sonë të bukur shqipe, të cilat koha i ka lënë në harresë, apo janë zëvendësuar me fjalë të huaja,  stilin shprehës të shkrimtarit Mehmetaj e bëjnë me plot figura stilistike dhe përshkrime jashtëzakonisht të fuqishme. Edhe çmimin prestigjioz Kadare, e merr me plot meritë për një roman sa historik, aq dhe dokumentar, por artistik mbi të gjitha.

Ganiu, me energjinë e tij krijuese letrare e publicistike, shpresoj të na sjellë krijime të tjera letrare e publicistike, por edhe të dramës, të cilën e ka lëvruar me po aq sukses, duke dëshmuar se ai është dhe do të mbetet një emër i shquar në letërsinë dhe publicistikën tonë kombëtare.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back