Risi e këtyre zgjedhjeve parlamentare në Greqi është edhe prania e shqiptarëve në listat e partive, teksa kërkojnë të votohen dhe të zënë një vend në parlamentin.
Plot 7 prej tyre kërkojnë karrigen e deputetit, edhe pse shancet që njeri prej tyre të fitojë janë tejet minimale
Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik. Ndërsa tre kantidatë të tjerë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari konkurrojnë me Partinë “Syriza” në Selanik dhe Evia.
Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.
Kandidimi i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare greke shihet pozitivisht si shenjë e integrimit të plotë të tyre në jetën publike të vendit helen, ndërkohë që ka zëra brenda vet emigrantëve se këta kandidatë janë duke u përdorur për të tërhequr votat e shqiptarëve drejt partive të caktuara politike dhe se asgjë nuk do të ndryshojë të nesërmen.
Shqiptarët vazhdojnë të përballen me mjaft sfida me statusin e tyre të qëndrimit, vonesat kohore për marrjen e dokumenteve dhe sigurimet shëndetësore.
Te drejtën e votës e kanë mbi 80.000 shqiptarë në gjithë Greqinë, nga të cilët vetëm 9000 janë në Athinë.