Në pranga ra edhe punëdhënësi i 2 autorëve të dyshuar, pasi tentoi të fshihte ngjarjen.
Ka shkuar në 3 numri i të arrestuarve në Sarandë pas vrasjes së Klodian Bakiut për një sherr mbi parkingun. Në pranga kanë rënë autorët vëllezër Xhanelo Taraj e Xhoi Taraj dhe punëdhënësi i tyre shtetasi Genci Ahmeti, i cili tentoi të fshihte ngjarjen.
Pas ngjarjes dhe disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë thanë se kapën dhe arrestuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit:
-Xh. T., 24 vjeç dhe Xh. T., 18 vjeç (vëllezër), të dy banues Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
“Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën "Lefter Kalo", në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës”, tha policia.
Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. A., 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
/Liberale.al/