Dhjetëra tregtare të tregut të orizit në qytetin e Vlorës kanë protestuar para bashkisë. Shkak i protestës ka qenë mbyllja e menjëhershme dhe e pa paralajmëruar e këtij tregu.
Vendimi për mbylljen e tregut ka ardhur pas kërkesës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, si pasojë e mungesës së kushteve higjeno- sanitare dhe pamundesisë së marrjes se masave per parandalimin e Covid-19.
Një nga tregtarët u shpreh se ata duhet të ishin njoftuar dy ditë para, jo sot në mëngjes. “Të thoshin dy ditë më para që do mbyllet tregu. Lajmëruan sot në mëngjes. Vajta tek shumica dhe mora 30 mijë lekë mall. Më duhet të paguaj qira, kam edhe dy fëmijë. Erdhi policia bashkiake dhe tha: po nuk e more mallin, do të të hedhin në furgon", ka thënë ai.
Ndërkohë drejtori i autoritetit te kontrollit ushqimor në Vlorë ka kërkuar përmbushjen e kushteve të sigurisë në këtë treg, për të mundësuar më pas edhe rihapjen e tij.