Shoferi i kamionit ku 53 emigrantë vdiqën nga nxehtësia në Teksas, thotë nuk e dinte që kondicioneri kishte pushuar së punuari. Homero Zamorano, 45 vjeç, u gjet i fshehur pranë kamionit të hënën. Ai është një nga katër personat e akuzuar.
Zamorano dhe bashkëpunëtori i dyshuar Christian Martínez, 28 vjeç, akuzohen se i kanë dërguar mesazhe me tekst njëri-tjetrit para dhe pas gjetjes së kamionit.
Ky është incidenti më vdekjeprurës i trafikimit të qenieve njerëzore në historinë e SHBA.
Disa fëmijë të gjetur në automjet janë ende duke u trajtuar në spital. Viktimat ishin nga Meksika, Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala.
Shoferi u arrestua kur fotot e mbikëqyrjes treguan se po ngiste kamionin duke kaluar një pikë kontrolli të Patrullës Kufitare të SHBA në Laredo, Teksas.
Sipas dokumenteve të gjykatës federale, një informator konfidencial i qeverisë që punonte për Emigracionin dhe Doganat dhe policinë e Teksasit u tha zyrtarëve se Zamorano dhe Martínez kishin folur pasi u raportuan vdekjet.
Martínez dyshohet se tha: "Shoferi nuk ishte në dijeni se kondicioneri ndaloi së punuari dhe kjo ishte arsyeja pse emigrantët vdiqën".
Dokumentet shtojnë se informatori dhe Martínez ishin duke qëndruar disa metra larg njëri-tjetrit kur u zhvillua biseda.
Të dy të dyshuarit përballen me dënimin me vdekje, nëse shpallen fajtorë për akuzat për kontrabandë dhe konspiracion.
Megjithatë, autoritetet meksikane thonë se gjithsej 67 emigrantë ndodheshin brenda kamionit, ndërsa prokurorët në San Antonio kanë vendosur numrin në 64.
Të premten, zyra e ekzaminuesit mjekësor të qarkut Bexar tha se kishte "identifikuar përfundimisht" gjashtë nga 53 viktimat nga incidenti i së hënës. Gjithashtu janë bërë edhe 42 “identifikime potenciale”, pesë mbeten të paidentifikuar.
Gjithashtu të premten, zyra e Sherifit të Qarkut Bexar filloi hetimin për një kamion të braktisur në një zonë banimi, vetëm disa milje në veri të vendit ku u gjet automjeti i parë.
"Rreth 13 emigrantë u gjetën në kamionin më të fundit", thanë zyrtarët për CBS News.
“Paraprakisht, duket se asnjë individ nuk ka pësuar lëndime të mëdha”, postoi zyra e sherifit në Facebook, duke shtuar se më shumë detaje do të publikohen sapo të jenë të disponueshme.
Kontrabanda e njerëzve është një industri e madhe përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.
Vdekje masive të këtij lloji kanë ndodhur në një numër rastesh në mbarë botën kohët e fundit. Ndër rastet më të këqija janë:
Austri, 27 gusht 2015: Një kamion i braktisur i regjistruar në Hungari u gjet me 71 emigrantëve të vdekur, irakianë, sirianë dhe afganë. Tre vjet më vonë, katër burra u dënuan me 25 vjet burg në Hungari.
Libi, 20 shkurt 2017: Dhjetëra emigrantë afrikanë u gjetën të mbyllur në një kontejner transporti, 13 prej të cilëve u gjetën të vdekur.
Mbretëria e Bashkuar, 23 tetor 2019: Gjithsej 39 emigrantë vietnamezë u gjetën të vdekur në një rimorkio kamioni në Essex. Katër burra u burgosën për vrasjen e tyre në janar 2021./Përshtati Liberale.al