Universiteti Europian i Tiranës u bë pjesë e Ekspozitës Globale të Arsimit dhe Trajnimit, i cili po mbahet gjatë dy ditëve, 30 prill- 2 maj, në Dubai.
Pas pjesëmarrjes së parë në panairin e Berlinit, më i madhi në botë për studentët ndërkombëtarë, ky është eventi i dytë ku UET merr pjesë për të realizuar projektin e tij për tërheqjen e studentëve të huaj.
Prej vitesh, Universiteti Europian i Tiranës ka nisur procesin e ndërkombëtarizimit, të përafrimit me sistemet më novatore të arsimit të lartë, të rritjes së mobiliteteve, ofrimit të programeve të përbashkëta të studimit, akreditimit nga agjenci prestigjioze etj. Një tjetër hap i rëndësishëm për të realizuar ndërkombëtarizimin e plotë është tërheqja e studentëve të huaj. Për këtë arsye, UET ka hapur dhjetë programe studimi më të kërkuarat sot në tregun e punës, që ofrohen në gjuhën angleze.
Ofertën e tij akademik ekipi i UET e prezantoi për studentët që vizituan stendën e universitetit në Ekspozitën Globale të Arsimit dhe Trajnimit (GETEX). Kjo është ngjarja kryesore e rekrutimit të studentëve dhe një platformë efektive për të gjithë ofruesit e arsimit të lartë për të arritur objektivat e tyre të pranimit të studentëve dhe kuotat e regjistrimit.
Me një histori 30 vjeçare, GETEX tërheq mbi 25,000 studentë vendas dhe të huaj që janë në prag të jetës universitare dhe kërkojnë në mënyrë aktive mundësi për edukim, zhvillim profesional dhe trajnim.
E veçanta e këtij viti është ofrimi i workshope-ve të fokusuara në Inteligjencën Artificiale dhe robotikën, realitetin virtual në Mjekësi dhe Artet Kulinare, të cilat iu bëjnë studentëve prezantimin e disa prej teknologjive më transformuese që formësojnë fuqinë punëtore moderne.