Universitet

“Të gjithë të rënët e Luftës së Dytë Botërore”, u promovua në COD studimi i Akademisë së Studimeve Shqiptare për viktimat e luftës

Shkruar nga Liberale

“Të gjithë të rënët e Luftës së

"Të gjithë të rënët e Luftës së Dytë Botërore" është studimi i parë i Akademisë së Studimeve Shqiptare që vjen në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Historianë dhe studiues hedhin hapin e parë të çeljes së dialogut dhe rehabilitimit të një periudhe të rëndësishme dhe shumë të diskutueshme të popullit shqiptar.

Për një periudhë gati gjysmëshekullore historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve është paraqitur bardh e zi, e udhëhequr kreykëput nga dikomotitë: të mirë dhe të këqinj, miq dhe armiq, patriotë dhe tradhtarë. E tillë u paraqit edhe lufta për çlirimin nga pushtuesit fashistë e nazistë, e ndarë në dy llogore: në një anë heronjtë fitues e në tjetrën humbësit që bashkëpunuan me armikun.

“Sot është e pranuar në mbarë botën se historia nuk është ajo që na rrëfehet nëpërmjet miteve mijëravjeçare, ka nevojë të mësohet dhe lexohet nëpërmjet sfumaturave të saj të panumërta”, u shpreh kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, historiania Nevila Nika, gjatë promovimit të studimit “Të gjithë të rënët e Luftës së Dytë Botërore” në COD, Kryeministria.

Për këtë arsye u ndërmor nisma nga një grup historianësh dhe studiuesish të ASSH-së për të publikuar në këtë 80 vjetor të Çlirimit të Shqipërisë një studim që përmbledh listat emërore të të rënëve në Luftën e Dytë Botërore; Studim që tregon se viktimat nuk ishin vetëm nga radhët e partizanëve dhe armiqve, dhe se antifashizmi ka qenë padyshim pluralist. Në vitet e para të luftës pati të vrarë civilë të pafajshëm si dhe luftëtarë të organizuar në formacione të armatosura.

“Të gjithë të rënët e Luftës së

“Janë lista emërore të partizanëve shqiptarë, të civilëve të masakarave, ushtarakë italianë që iu bashkuan forcave tona partizane, si dhe të civilëve që jetonin e punonin këtu, po ashtu italianë, e ushtarakë britanikë që ishin në mbështetje të formacioneve të armatosura shqiptare kundër pushtuesit dhe në fund atë të ushtarakëve gjermanë", sqaroi historiania.

Nika theksoi se pluralizmi i kësaj përpjekjeje për liri u shënua nga tre ngjarje: Konferenca e Pezës, e Labinotit dhe ajo e Mukjes, duke dëshmuar se rezistenca dhe qëndresa ishte e të gjithëve, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
“Fatkeqësisht nuk mbeti e tillë deri në fund”, theksoi Nika, duke u ndalur te misioni i Akademisë së Studimeve Shqiptare, e krijuar në gjirin e Universitetit Europian të Tiranës, për të përgatitur brezin e ri për të kaluarën dhe bashkëkohësinë.

“E vërteta historike e atyre viteve që do të shënojë fatet e Shqipërisë së pas luftës duhet të shkruhet tashmë pa emocione, pa ndërhyrjen e asnjë pale dhe mbi të gjitha me përgjegjësi profesionale. Nëse para disa dekadash historianët dhe studiuesit në tërësinë e tyre vuanin nga censura partiake dhe autocensura vetjake, sot nuk mund t’iu falet më kjo”, u shpreh më tej Nika.

Kryeministri Edi Rama tha se çështja e Luftës së Dytë Botërore mbetet e hapur pasi historia pas luftës u shkrua na regjimi diktatorial, të cilët i mëshuan me gjithë brutalitetin e vet shprehjes se “historinë e shkruajnë fitimtarët”.

“Të gjithë të rënët e Luftës së

“Pas rënies së regjimit diktatorial, pavarësisht se fitimtarët e radhës nuk e kishin brutalitetin e atij regjimi, por ishin vijimësi e atij regjimi në aspektin e mendësisë, përsëri kjo çështje mbeti një çëshjte që më shumë sesa historianëve iu la të gjithë atyre që me mënyra dhe rrugë të ndryshme mund të bëjnë vetëm dëm, kur ndërhynë në fushën e shkrimit të historisë”, theksoi kryeministri.

Edhe pse ka kaluar një disatancë e konsiderueshmeb kohore, Rama tha se nuk mjafton për qetësinë e nevojshme për të shkruar historinë e Luftës së Dytë Botërore, e për të arritur në konkluzione relativisht objektive. Më tej, ai vlerësoi nismën e Akademisë së Studimeve Shqiptare për të kontribuar në një shkrim relativisht objektiv të luftës së shqiptarëve.

“Sa më takon mua dhe qeverisë shqiptare, sot e një dekadë nuk ka asnjë interes për të ndërhyrë në punët e historianëve dhe asnjëlloj kompleksi për të ndërhyrë në të gjitha të vërtetat e historisë.”

Studimi për kohën e luftës në Shqipëri vjen me kontributin e çmuar të studiuesve dhe profesorëve të njohur: Prof. Dr. Nevila Nika, kryetare ASSH-së; Prof. As. Dr. Hasan Bello; Prof. Asoc. Dr. Marenglen Kasmi; Dr. Çelo Hoxha; PhD Florian Çullhaj.

“Të gjithë të rënët e Luftës së

Nga ardhja e pushtuesit italian e më pas atij gjerman, rezistenca, viktimat, grupimet, ideologjitë; Autorët risjellin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, përmes një perspektive më të gjerë, duke integruar të gjitha të dhënat e disponueshme për të kuptuar më në thellësi aëtë periudhë të trazuar.

Drejtori ekzekutiv i ASSH-së, Florjan Çullhaj tha se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në një arenë konflikti, ku sakrificat e shumë të rinjve nga vende aleate, përfshirë 48 ushtarë britanikë, lanë gjurmë të pashlyeshme në memorien tonë.

“Këta ushtarë, nga regjimente të ndryshme, si: Sinjalet Mbretërore, Këmbësoria e Lehtë e Malësisë, përqafuan idealet e drejtësië dhe luftuan për një vizion të lirë që i kërceu kufijtë kombëtarë. Sakrifica e tyre na kujton kryqëzimin e thellë mes detyrës morale individuale e virtytit kolektiv.”

Historiani Marenglen Kasmi sqaroi se në studim ka bërë një regjistim të listës së dëshmorëve të atdheut të rënë nga 7 prilli i 1939 deri në nëntor të 1944, duke ndalur te profilizimi i të rënëve të ushtrisë gjermane dhe asaj italiane.

“Si dhe në vende të tjera pati shqiptarë që e përqafuan ideologjinë nazifashiste dhe rrjedhimisht bashkëpunuan me ta. Është detyrë e historianëve që mbi baza shkencore e dokumentacion solid arkivor, të bëjnë vlerësimin e kësaj periudhe.”

Historiani Hasan Bello vjen në këtë studim me dy ese: E para bën fjalë për viktimat e forcave nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Legaliteti; Në esenë e dytë merret me viktimat civile të luftës, popullin e thjeshtë, i cili që nga shpallja e Pavarësisë e deri sot ka mbajtur barrën kryesore në çdo konflikt e luftë në territorin shqiptar.

“Në fazat e para të luftës, kemi bashkëpunim mes Ballit Kombëtar dhe partizanëve, ushtrisë Nacional Çlirimtare. Ka ardhur koha të gjenden pikat e përbashkëta në ato vite kritike për shtetin shqiptar dhe viktimat e kësaj lufte të kenë një memorial apo varrezë të përbashkët, pavarësisht krahëve që iu përkisnin.”

Drejtori i Institutit për Krimet e Komunizmit, Çelo Hoxha sqaroi se në studim sjell listat emërore të viktimave të luftës së vrarë nga forcat komuniste, që ishin kundërshtarët e tyre politikë të pozicionuar me Ballin Kombëtar e Legalitetin apo jashtë këtyre grupimeve
“Jemi bazuar në dokumentet zyrtare të prodhuara nga gjykatat, komisioni trepalësh, shtyp dhe kudo ku ka burime të referueshme.”

“Të gjithë të rënët e Luftës së

Përveçse një përpjekje për të rishikuar dhe rivlerësuar të dhënat historike të Shqipërisë, ky botim nga shtëpia botuese UET Press, është edhe një ftesë për studiuesit, historianët dhe studentët e angazhuar, të mos i ndalin përpjekjet për të vendosur nën dritën e fakteve dhe të të vërtetave të kaluarën tonë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH