Përmirësimi i cilësisë akademike dhe promovimi i barazisë gjinore në arsim dhe punësim ishin në qendër të një trajnimi dy ditor (23-24 prill), që u zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës. Trajnimi vjen në kuadër të projektit “EduSDG: Higher Education for Sustainable Development in Kosovo and Albania”, pjesë e të cilit janë Universiteti Europian i Tiranës, Kolegji AAB në Kosovë, Universiteti Poëiślańska në Poloni dhe Universiteti Newton në Republikën Çeke. Dy trajneret nga Newton University folën me kolegët e tyre mbi SDG 4, që ka të bëjë me ofrimin e arsimit cilësor dhe SDG 5 që synon promovimin e barazisë gjinore.
Gjatë ditës së parë të trajnimit përfaqësuesit e universiteteve partnere bënë një panoramë të situatës së barazisë gjinore në vendet përkatëse, përpjekjet për përmirësimin dhe rritjen e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe institucionet drejtuese, apo integrimin e elementëve të tjerë që kontribuojnë për zhvillimin e shoqërive në këtë drejtim.
Dita e dytë e trajnimit ishte e fokusuar në SDG 4, që ka të bëjë rritjen e cilësisë arsimore, ku të pranishmit parashtruan sistemet arsimore në vendet e tyre, organizimin dhe financimin, si dhe u diktuan hapat e mëtejshëm për të rritur standardet dhe për të siguruar një edukim cilësor e gjithëpërfshirës.
Projekti “SustainEdu: Advancing Sustainable Development in Higher Education” bashkëfinancohet nga qeveritë e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit, qëllimi i të cilit është promovimi i ideve për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.
Ky projekt synon të rrisë kapacitetin e stafit akademik në institucionet e arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes bashkëpunimit dhe asistencës së vendeve të Evropës Qendrore, për të integruar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në SDGs në aktivitetet e tyre arsimore, kërkimore dhe inovative.
Përmes trajnimit, kërkimit dhe partneriteteve institucionale, projekti do të fuqizojë institucionet e arsimit të lartë që të bëhen kontribuues kryesorë në arritjen e SDGs-ve në rajon, si një formë e rritjes së niveleve të demokracisë.
Duke përfshirë këto objektiva në aktivitetet e tyre të mësimdhënies, kërkimit dhe inovacionit, stafi akademik mund të promovojë një kuptim më të thellë të sfidave globale dhe ndërlidhjen e çështjeve sociale, ekonomike dhe mjedisore. Po ashtu, ky projekt është një mundësi për studentët që të bëhen qytetarë aktivë me njohuri për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të angazhuar në adresimin e sfidave shoqërore.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), të njohura ndryshe si Objektivat Globale, janë pjesë e Agjendës 2030, e miratuar në 2015-ën nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kjo agjendë ofron një plan të përbashkët për paqen dhe prosperitetin për njerëzit dhe planetin. Ajo rendit 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të cilat janë një thirrje urgjente për veprim nga të gjitha vendet - të zhvilluara dhe në zhvillim - në një partneritet global.