Mësues në Liceun artistik, violinist në TKOB, pedagog dhe shef katedre në Akademinë e Arteve, e tashmë pedagog në Universitetin Europian të Tiranës. Në jetë mes partiturave e harqeve, në koncerte e turne, me vullnet dhe disiplinë gjermane. Askush më mirë se profesor Ramazan Peku nuk mund t’i rrëfejë sekretet e një violinisti.
Në vitin 1958 shkolla e vjetër “Dalip Tabaku” në Durrës, atëherë 7-vjeçare, do të rindërtohet duke u shndërruar nga ajo godina e vjetër dy-tre katëshe, gati e rrënuar, në një institucion dinjitoz muzikor. Pranë saj banonte familja e një kapiteni anijesh me 7 fëmijë, mes të cilëve një djalë i vogël që sapo kishte nisur klasën e parë. Ai do të përzgjidhet nga drejtuesit e shkollës për konkurs dhe do të caktohet në klasën e pianos. Ndoshta për shkak se shokët e tij u caktuan në violinë, apo ndoshta sepse pianoja nuk iu duk tërheqëse, ai nuk do ta frekuentojë më shumë se dy herë. Për katër muaj rresht do të qëndrojë pas derës ku mësohej violinë, duke treguar kështu disa cilësi aq të domosdoshme për profesionistët e këtij instrumenti.
Ashtu i heshtur, imcak, me pantallona të shkurtra, njësh me derën, Ramazan Peku nuk do t’i shpëtonte syrit të mësuesit të violinës. “Çfarë mësuesi, çfarë nostalgjie kam! Ai ishte emigrant me ish-lëvizjen komuniste të Greqisë, çifut nga Selaniku. Dinte 14 gjuhë dhe i binte kitarës, mandolinës e violinës”, tregon profesori.
Do të ishte ai që ia shpëtoi veshin nga dora e drejtorit të shkollës, kompozitorit të njohur Pjetër Dungu kur rastësisht së bashku me mësuesen e pianos Vjollca Tafaj e panë të vërtitej jashtë klase. “Pjetër, ma jep mua për violinë se ka muaj që rri te dera e klasës sime”, ishte lutja e mësuesit. Pas kësaj fjale asnjë gjë nuk do të ishte më si më parë për Ramazan Pekun.
Kërkoi ndihmën e nënës për të marrë violinën e parë të vendosur në këllëf lecke, e cila pranoi pavarësisht paralajmërimit të magazinierit se nëse e dëmtonin instrumentin do të paguanin 7 mijë lekë, që në atë kohë kjo shifër ishte javë të tëra pune.
“Isha si letër thithëse. Ai më jepte 1-2 ushtrime unë shkoja te 5-6-7 të tjera. Brenda dy muajsh kalova edhe shokët që kishin nisur para meje”, tregon profesor Ramazani. Në klasë të katërt bëri koncertin e parë në ato që quheshin mbrëmjet sovjetike, i shoqëruar në piano nga Lejla Agolli, e cila më vonë do të bëhet kompozitore. Në moshën 13-14 vjeçare do të largohet me një valixhe druri nga qyteti bregdetar i lindjes, për të vijuar Liceun Artistik në Tiranë, duke vulosur kështu definitivisht të ardhmen.
Të gjithë në familjen e tij e donin muzikën, iu binin disa veglave muzikore, por ai pati fatin që këtë pasion ta bëjë profesion të jetës. “Baba i binte mandolinës, dy vëllezërit i binin fizarmonikës, motra i binte dajres, vëllai i vogël kitarës, kryeqendra isha unë me violinën. U rrita me këto këngë. Gëzimet dhe festimet tona ishin ahengje, plot me njerëz”.
Origjina e tij është nga Ulqini, pasi dy prindërit kanë lindur atje. Burrat e familjes së babait prej 5 brezash kanë qenë kapitenë anijesh. I ati erdhi në Shqipëri e u vendos në Durrës, duke u bërë një nga themeluesit e parë të flotës shqiptare, në vitet 1945- 1946. Por ai nuk pranoi që fëmijët të ndiqnin gjurmët e tij. “Prindërit nuk i tregojnë kurrë sakrificat e zanatit”, thotë prof. Peku, duke kujtuar me të qeshur batutën e të atit: “T’u pas tokën, pse e do detin”.
Tregon se në familje nuk i kanë ditur vështirësitë që ai ka kaluar në det dhe shumë prej tyre i ka marrë vesh më vonë, teksa përgatitej për botimin e librit mbi historinë e familjes dhe fisit Peku, si një trashëgimi e vyer për brezat e rinj. Një pjesë të familjes së tij do ta takojë për herë të parë në 1974, kur shkoi për koncert në Ulqin. “I bija violinës dhe vetëm qaja. Shihja dajën, hallën për herë të parë. Nuk i njihja.” Si i vetmi që kishte mundësi të dilte jashtë kufijve të mbyllur të Shqipërisë, ai do të vizitojë vendet e preferuara të të atit e do të sjellë fjalët e familjarëve që ai nuk do t’i takonte kurrë.
I edukuar me disiplinë gjermane
Para se prof. Ramazan Peku të shkonte në turne e të shënonte emrin me të arta, iu deshën orë të pafundme praktikë e disiplinë që ia injektoi mësuesi i violinës në Liceun Artistik, një student në Konservatorin e Tiranës, siç quhej në atë kohë, i cili kishte qenë tre vite me studime në Lajpcig. “Fat për mua që më ra ai njeri i shkëlqyer, pedagogu Gjergj Pekmezi. Kishte marrë edukatë gjermane, ishte gjerman në kuptimin e formimit dhe disiplinës. Më tregoi si të mësoj, si ta kuptoj pjesën, si ta dashuroj violinën. Nuk e kisha mësues, por vëlla.”
Çdo gjë i dukej e re. Studionte 7 orë në ditë dhe që në vit të parë mori në dorë Capriccio-t e Niccolo Paganinit. Në vit të dytë u aktivizua në koncerte, duke shtuar orët e studimit. Të shtunën e kishte për sportin, pasi siç thotë ai, një instrumentist duhet të merret patjetër me ushtrime fizike për të pasur rezistencë. “Në një recital një orësh mund të humbasësh sipas statistikave deri në pesë kilogram nga pesha jote trupore.”
U diplomua me koncertin për violinë të P. I. Çajkovski. Ishte një eveniment në atë kohë në programin shkollor të Liceut Artistik "Jordan Misja".
Sëbashku me shokun e tij Frederik Banda do të propozoheshin për të studiuar jashtë Shqipërisë, por për shkak se të dy kishin njerëz që kishin kaluar kufijtë, asnjëri nuk u lejua të largohej. Nga ana tjetër, Durrësi nuk i jepte të drejtën për të konkurruar në studimet e larta, për ta mbajtur aty si mësues. “Të më mbaje larg shkollës, ishte njëlloj si të më vrisje”, thotë profesori.
Një bisedë rastësore mes pedagogut Robert Papavrami dhe ministrit të Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deljana, në ditën e fundit të konkursit, ku i sqaronte ndalesën ndaj violinistit nga Durrësi, do t’i hapte rrugë ëndrrës së tij. U caktua një ditë konkurrimi vetëm për të, ku ekzekutoi programin përcaktues të konkursit.
Në momentin e diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, në 1974, do të ekzekutojë po nga kompozitorë rusë, por këtë radhë, përveç programit përcaktues në repertorin e tij, ai tentoi me shumë kurajo të ekzekutojë koncertin për violinë nr.1 nga Sergei Prokofiev. Ky koncert luhej për herë të parë në skenën shqiptare.
Sergei Prokofiev pati fatin e keq që vdiq në të njëjtën ditë me Stalinin, duke u larguar nga kjo botë pa nderimet që i meritonte një emër i tillë. Prof. Ramazani kishte shkuar enkas në radio për të dëgjuar të regjistruar dy koncertet e këtij kompozitori dhe ishte bindur se ai ishte i duhuri për të finalizuar studimet. Papavrami nuk ishte aq optimist për këtë zgjedhje, por nuk mund të bënte asgjë përballë këmbënguljes së studentit të tij.
“Shkova në Bibliotekën Kombëtare dhe gjeta literaturë për këtë kompozitor, për të marrë vesh se ku ishte bazuar, në çfarë teme, ndërsa në bibliotekën ruse gjeta partiturën.” Nëntë muaj studime e praktikë për momentin e madh. Ishte aq i fokusuar saqë as nuk e kishte lexuar me vëmendje shënimin e Nina Mulajt mbi materialin e përkthyer nga rusishtja, e cila e cilësonte një koncert të vështirë e që nuk mund të luhej nga kushdo.
“Kjo punë është si të qëndisësh në gjergjef”, thotë profesori. “Por unë kurrë nuk kam bërë hile në lojë, nuk kam bërë kompromise. Nëse shpejtësia e luajtjes së një pjesë është 130, i qëndroj strikt asaj.”
Thotë se kur luan violinë duhet të futesh në rol, të përfshish intelektin edhe shpirtin. “Artisti duhet të jetë bindës. Nëse di ta kuptosh emocionin tënd dhe ta përcjellësh atë, atëherë ke fituar.”
Mes mësimdhënies dhe turneve
Pavarësisht se në moshën 18-vjeçare refuzoi mësimdhënien, gjatë studimeve të larta u caktua në Liceun Artistik si mësues i jashtëm, krahas angazhimit si spala në orkestrën e TKOB.
Qëndroi për 15 vite, nga 1970 deri në 1985, duke ndjekur modelin e mësuesit që kishte pasur në lice, i dashur me studentët, por edhe i rreptë kur vinte puna te violina. Më pas filloi si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve deri në 1992. Pasi u shkëput nga Opera duke refuzuar postin e drejtorit artistik, në vitin 1985 fiton konkursin për pedagog i brendshëm dhe për 12 vjet mbajti detyrën e shefit të katedrës.
“Puna e pedagogjisë është një punë e ndërsjellët. Jo vetëm studentët, dhe pedagogu fiton eksperienca të reja, pasi secili student është ndryshe dhe duhet të gjesh solucionin për secilin”, thotë ai më tej. “Unë kam një gjë, nëse më jepet një detyrë unë do ta kryej seriozisht, me të gjitha mundësitë që kam."
Edhe pasi doli në pension në 2015, qëndroi si pedagog i jashtëm deri në diplomimin e 3 studentëve që i kishte nga vitet e mëparshme. Asnjëherë nuk ka refuzuar të mësojë një të ri që e ka pasion violinën. E të njëjtën gjë ua kërkon edhe mësuesve, sidomos atyre nëpër shkollat e mesme të muzikës në qytete të ndryshme të Shqipërisë, që të mos i neglizhojnë asnjëherë fëmijët e talentuar.
Ka qëndruar gjithmonë pranë studentëve të tij, kur e kanë kërkuar apo kanë pasur nevojë për këshillat e tij. Kujton studenten e fundit që ka pasur te Artet, e cila sot vazhdon doktoraturën në Amerikë. “Para se të mbronte diplomën master ka bërë mësim me mua në internet, një javë rresht. Doli një nga studentet më të mira edhe atje”.
Në 2019 mori një telefonatë nga përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universiteti Europian i Tiranës, Ermir Nika. “Kanë ardhur tre veta nga liceu dhe duan të bëjnë mësim me ty”, ishin fjalët e tij. Nuk refuzoi, ndërsa gjatë viteve studentë të tjerë u transferuan në UET për të mësuar violinën me të.
Pyetja e parë që iu bën studentëve është se çfarë koncerti duan të bëjnë në diplomë. Shumë prej tyre kjo i gjen në befasi. “Unë dua që materialet muzikore që studenti t'i paraqesë në diplomë, t'i ketë materiale që ai i ndjen mirë. Për këtë arsye unë me studentët dua të ndërtoj materiale teknike dhe artistike përgjatë 5 viteve të studimit, për të arritur aty ku studenti synon të arrijë."
Sipas tij, në fillim duhet të riparojë mangësitë nga e kaluara e më pas të gjejë specifikat për çdo violinist. “Unë këtu kam 4 studentë, por është njëlloj si të jap 4 lëndë. Me secilin prej tyre kam repertorë të veçantë. Demonstroj materialet e secilit, pasi forca abstraguese është e domosdoshme.”
E trishton fakti që numri i të rinjve që zgjedhin instrumentet muzikore është tkurrur prej vitesh. “Si në çdo fushë, çdo gjë ka shkuar pa frena. Por të gjithë kemi mbetur te konstatimi. Asnjëri nuk thotë si duhet të ndryshohet situata”.
Sipas tij, rënia ka filluar në 1997 kur qeveria e asaj kohe mbylli shkollat muzikore. Problem shqetësues sheh faktin që studentët ekselentë mbeten pa punë. E kjo gjë, sipas tij, i ka bërë prindërit të mendojnë se ky është një zanat i vështirë, kërkon investim dhe s’ka perspektivë në Shqipëri.
Pavarësisht viteve, profesor Peku vijon me regjimin e shkollës së mesme. Nuk i është ndarë praktikës, as gjimnastikës, e as koncerteve. Shpesh ka zhvilluar me studentët brenda universitetit apo në qytete të ndryshme. Dëshiron që një të tillë ta realizojë në fillim të qershorit.
Në rininë e tij koncertet dhe turnetë kanë qenë të shumta në vende të ndryshme të botës, prej të cilave ka marrë emocione por edhe ka pasur situata të sikletshme. Kujton një turne në Festivalin e Bursës, ku ishte pjesë e Ansamblit të Fierit. Për shkak të mungesës së informacionit mbi minutazhin e performancës, ata u nxorën nga salla pa mbaruar së luajturi të gjitha pjesët, gjë që u rregullua në netët e tjera të festivalit, duke rrëmbyer në fund çmimin e parë.
Emocionuese ka qenë një tjetër performancë në Amerikë ku publiku nuk ndalonte duartrokitjet. “Më iknin lotët nga ngazëllimi”, tregon profesori. I propozuan të qëndronte atje si pedagog, por nuk mund të ndahej, qoftë edhe për një vit, nga dashuria tjetër e jetës, gruaja e tij.
Gjatë jetës së tij artistike ka zhvilluar shumë koncerte, në zhanre të ndryshme muzikore: opera, balete, koncerte simfonike, formacion harqe, me kuartet, Duo Solo, si dhe si solist në shumë shtete: në Kinë, Japoni, SHBA, Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi, Itali, Zvicër, Gjermani, si dhe shumë koncerte në gjithë Shqipërinë. Profesor Peku është iniciator, ideator, realizues, interpretues prej pesë viteve i koncerteve me studentë dhe pedagogë në UET.
* Shkrimi është pjesë e rubrikës "Dita e parë në auditor", botuar në Revistën Liberale.